E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbimi i heshtur i një populli

Bota mirëpriti përfundimin e diktaturës ushtarake në Birmani dhe po investon në këtë shtet. Por për popullin e shtypur për dekada të tëra, Rohingia të besimit mysliman, asgjë nuk është përmirësuar: ka tashmë disa javë që është duke u zhvilluar një luftë e përgjakshme, me qindra mijëra njerëz në arrati. Por këta njerëz nuk e dinë se ku të shkojnë, ngase as Bangladeshi fqinj nuk i dëshiron.

Fatkeqësia filloi me një vrasje. Thidar Htve 26 vjeçare ishte duke shkuar në shtëpi, kur ajo në fund të majit u sulmua, u dhunua dhe u vra nga tre meshkuj. Shumë shpejtë qarkulloi lajmi se vrasësit ishin myslimanë, nga radhët e popullit Rohingia, një pakicë që jeton në perëndim të Birmanisë. Viktima e tyre ishte budiste. Sulmuesit u arrestuan dhe dukej se situata u qetësua.

Një javë më vonë, në fillim të qershorit, një turmë prej rreth 300 budistëve ndali një autobusë me pelegrinë myslimanë. Nuk ishin banorë të rajonit, por udhëtarë nga ish-kryeqyteti Rangun. Udhëtarët u detyruan që të dalin nga autobusi. Turma u hodh mbi ta, dhjetë persona u rrahën për vdekje, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Thidar Htvesë.

Birmania kaloi një gjysmë shekulli nën pushtetin e diktaturës ushtarake, udhëheqësia e opozitës, Aung San Su Kyi, e cila për shumë vjet u mbajt nën arrest, këtë vit ka siguruar një ulëse në parlament dhe e tërë bota përshëndeti reformat demokratike në Birmani. Por në ndërkohë ka filluar të shtohet dukshëm edhe dhuna kundër pjesëtarëve të popullit Rohingia. Që nga sulmi kundër autobusit policia ka shtuar praninë e saj në publik, por ajo pothuajse nuk po ndal fare shpërthimin e urrejtjes.

Rohingiat janë pjesëtarë të një pakice religjioze dhe etnike, komunitet ky që është përqendruar në perëndim të Birmanisë, në kufi me Bangladeshin. Nga rreth 2 milionë pjesëtarë të komunitetit Rohingia, gati gjysma e tyre jetojnë jashtë Birmanisë, në Bangladesh, Pakistan, Arabinë Saudite, Tajlandë, Malajzi dhe Indonezi, por edhe në Evropë dhe Australi. Para disa shekujve, tregtarët dhe imigrantët arabë u vendosën në këtë rajon. U krijua një kulturë, gjuhë dhe identitet i veçantë i këtij komuniteti.

Pas çlirimit të Birmanisë nga pushteti kolonial i Britanisë në vitin 1948, Rohingiat siguruan statusin e pakicës. Por ushtria, e cila në vitin 1962 mori përsipër pushtetin, ndoqi politikën e “birmanizimit” të vendit: gjatë viteve të kaluara refugjatët në vazhdimësi raportuan për spastrime etnike në pjesët perëndimore të Birmanisë, për dhunime masive dhe vrasjet sistematike të meshkujve. Atyre ju mohohet shtetësia e Birmanisë, prandaj pjesëtarët e këtij komuniteti në fakt janë zyrtarisht pa shtet.

Shpresa e Rohingiave, se pas demokratizimit të Birmanisë, do të përmirësohet edhe jeta e tyre, nuk u përmbush.

Që nga incidentet e fundit, sipas të dhënave të OKB-së rreth 180 mijë njerëz gjenden në arrati, në drejtim të Bangladeshit dhe Tajlandës, kryesorja jashtë nga Birmania. Por askund nuk janë të mirëseardhur, shpesh anijet e tyre kthehen në det nga ushtritë e shteteve përkatëse, hapet zjarr kundër tyre, arrestohen dhe dëbohen.

Organizata britanike, Equal Right Trust, thotë se ushtria e Birmanisë po përfshihet gjithnjë e më shpesh në aktet e dhunës kundër Rohingiave-përfshirë këtu edhe në vrasjet dhe arrestimet masive të meshkujve, në provincën Rakhine. Një diplomat perëndimor thotë:”Nuk njoh asnjë pakicë në botë, e cila përballet me një refuzim kaq të madh. Situata e Rohingiave është më e keqe se e romëve në Evropë”. Sipas të dhënave të OKB-së, Rahingiat janë populli më i përndjekur në botë.

Organizatat për të drejtat e njeriut, Amnesty International dhe HRW, raportojnë për refugjatë, të cilët sulmohen gjatë rrugëtimit të tyre drejtë Bangladeshit dhe se shumë prej tyre vdesin nga uria. Madje edhe nëse arrijnë të kalojnë në anën tjetër të kufirit, refugjatët prapë nuk janë të sigurt-gjithmonë duhet të llogarisin me mundësinë që autoritetet e Bangladeshit t’i dëbojnë sërish në Birmani.

Para pak kohësh helikopterët sulmuan disa anije me refugjatë, të cilët kishin marrë guximin që të niseshin drejtë Bangladeshit. Tri nga gjashtë anijet u fundosen, rreth 50 persona vdiqën.

Presidenti i Birmanisë, Thein Sein, ka vendosur gjendjen e jashtëzakonshme në disa pjesë të provincës Rakhine. Diplomatët theksojnë se që nga ajo kohë situata është shtendosur paksa. Por fundi i konfliktit mes Rohingiave dhe budistëve nuk duket në horizont.

Presidenti i shpjegoi përfaqësuesve të OKB-së se zgjidhja e vetme për rreth 1 milionë Rohingia në Birmani mund të jetë zhvendosja e tyre në një vend të tretë, apo krijimi i kampeve për refugjatë. Nëse një shtet i tretë është i gatshëm t’i pranojë, Birmania do t’i zhvendosë menjëherë Rohingiat në atë vend, theksoi presidenti i Birmanisë.

“Racizëm i pastër”, e cilëson këtë kërcënim Organizata për Popujt e Rrezikuar me seli në Gottingen. “Në vend se të apelojnë për pajtim në këtë shtet shumetnik, presidenti po vepron si popullit dhe po nxitë konfliktet religjioze dhe etnike”, deklaroi zyrtari i organizatës, Ulrich Delius.

Moshahida Sultana Ritu, ekonome në Universitetin e Bangladeshit, ngjarjet në Birmani i cilësoi si spastrime etnike të nxitura nga shteti.

Askush nuk mund të shpjegojë se pse përballen Rohingiat me një urrejtje të tillë. Gazetat shtetërore në Birmani shpesh i quajnë “kalar”, pra të zi. Ata në mënyrë fyese quhen “arabë” dhe “bengalë”, pra se nuk e kanë vendin në Birmani. Madje as Aung San Suu Kyi dhe partia e saj ngurrojnë që të marrin një qëndrim publik për Rohingiat. Suu Kyi deri me tani nuk e ka folur asnjë fjalë të vetme për dhunën kundër Rohingiave në Birmani.

(Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›