E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Moon thërret palët të mos ashpërsojnë situatën në veri

New York, 3 gusht – Në raportin për Kosovën që i referohet periudhës tremujore, e cila mbyllet më 15 korrikun, sekretari i përgjithshëm i KB, Ban Ki Moon, situatën në Kosovë e ka vlerësuar relativisht të qetë, por ka theksuar nuk guxohet të nënvlerësohet mundësia e destabilizimit në veri, ku ajo është “delikate”. Në raportin e tij, ai ka shfaqur keqardhjen që nuk ka ndodhur përafrimi midis Beogradit e Prishtinës dhe ka thirrur për fillim të dialogut midis tyre për çështje praktike me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës për të gjithë në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i KB thekson se i ka bërë thirrje përfaqësues së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, të hetojnë sfidat e tjera që lidhen me Kosovën.

“Kam propozuar që KB dhe BE të bashkërendojnë qasjen e përbashkët”, ka theksuar Ban Ki Moon dhe ka shtuar se përgjigja e Ashton ishte se BE dëshiron të ndihmojë Beogradin e Prishtinën që të vazhdojnë rrugën drejt integrimit në BE. Ban Ki Moon në raportin e tij ka ftuar palët në raportin e tij të jenë të matura dhe të kenë qasje konstruktive që të shmanget përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës, ku situata siç ka vlerësua ai është “politikisht delikate” thuhet në raportin e tij të publikuar në sajtin e KB.

Sekretari i përgjithshëm i KB po ashtu ka thënë se llogaritë mbështetin Këshillin e Sigurimit për inkurajimin e palëve që t’i përkushtohen dialogut. Ban Ki Moon ka shtuar se Mendimin këshillëdhënës të GJND-së ia ka përcjellë Asamblesë së Përgjithshme, e cila kishte kërkuar nga gjykata mendimin dhe e cila do të përcaktojë se si do t’i qaset kësaj çështjeje.

“I kam inkurajuar fuqishëm palët të marrin pjesë në dialogun konstruktiv dhe i kam bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin çdo hap, i cili do të mund të kuptohej si provokativ dhe i cili mund të rrezikonte dialogun”, ka theksuar Ban Ki Moon.

Ai ka vlerësuar situatën në Kosovë relativisht të qetë, por ka theksuar se nuk bën të nënvlerësohet mundësia për destabilizim, sidomos në veri të Kosovës.

Ban Ki Moon ka përsëritur shqetësimin me dhunën e paradokohshme në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila ka bërë të qartë se çdo qasje tjetër nga konsultimet dhe koordinimi i faktorëve relevantë, mund të shkaktojë destabilitet më të madh dhe ndarje më të madhe ndërmjet komuniteteve.

Në raport theksohet se UNMIK-u ia ka bërë të mundur Kosovës pjesëmarrjen në forumet rajonale ndërkombëtare dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë derisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244, me qëllim të promovimit të dialogut të bashkëpunimit rajonal, “edhe pse duket se autoritetet e Kosovës besojnë se kjo nuk është në interesin e statusit të sovranitetit të shpallur”.

Në aneksin e raportin mbi punën e EULEX-it, shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon, ka vlerësuar se vendimi mbi zgjatjen e misionit deri në qershor 2012 flet për përkushtimin e fuqishëm të BE-së ndaj Kosovës, sundimit të drejtës dhe për perspektivën evropiane të Kosovës.

Ai ka theksuar se EULEX-i vazhdon bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës, me UNMIK-un dhe përfaqësuesit e tjerë të bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe me KFOR-in.

Po ashtu ka vazhduar dialogu me përfaqësuesit e organeve serbe të juridikaturës.

Këtë raport për periudhën nga 16 marsi deri më 15 korrik, sonte do t’ia prezantojë KS të KB, Lamberto Zannier, pohojnë agjencitë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›