Ban Ki Mun: “Dhuna e 17 marsit në Mitrovicë do të hetohet”
Dhuna e 17 marsit në Mitrovicë do të hetohet. Kështu është shprehur sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, gjatë takimit të zhvilluar me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Sipas sekretarit Ban Ki Mun, e gjithë situata do të hetohet, duke përfshirë këtu edhe vdekjen e një ushtari paqeruajtës ukrainas në përleshjet mes forcave të UNMIK-ut dhe protestuesve serbë të Mitrovicës. Gjatë këtij takimi dy zyrtarët kanë diskutuar për situatën në Kosovë, por edhe për zgjedhjet e 11 majit që do të zhvillohen në Serbi. Ban Ki Mun shprehu gjithashtu shqetësimin për perspektivën e zgjedhjeve të 11 majit, për të cilat gjithë ndërkombëtarët favorizojnë forcat demokratike. Ndërkohë, Jeremiç i deklaroi sekretarit të OKB-së se Serbia do të kërkojë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta deklarojë të paligjshme shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen nga vendet e tjera. Ai kërkoi që Kosova të vazhdojë të qeveriset ende nga UNMIK-u dhe Rezoluta 1244.
7 Prill 2008