E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesazhi i Uashingtonit për Tiranën në vitin 1973: “Gati për bisedime”

Administrata “Nikson” përcjell mesazhin për Shqipërinë dhe për gjithë bllokun. Heshtje nga Enver Hoxha. Ngrohen marrëdhëniet me vendet e Lindjes

Bernard Gwertzman

UASHINGTON – Shtetet e Bashkuara kërkuan sot që t’i jepet fund ngrirjes së marrëdhënieve me Shqipërinë në kuadër të një synimi amerikan më energjik që të përmirësojë lidhjet me të gjitha qeveritë komuniste të Europës Lindore.
Oferta për nisjen e një dialogu me Shqipërinë, vend me të cilin tashmë Uashingtoni nuk ka marrëdhënie diplomatike, është bërë përmes një mesazhi politik të shpërndarë sonte përmes zëvendëssekretarit të Departamentit të Shtetit, Keneth Rush, në Akademinë Detare të Annapolis. Departamenti i Shtetit shpërndau kopjet e fjalimit këtë pasdite. Pas listimit të hapave të ndërmarrë ose të parashikuar për t’u realizuar për përmirësimin e marrëdhënieve me një pjesë të Europës Lindore, zoti Rush tha: “Vetëm me Shqipërinë nuk ka një progres të dukshëm”.
Retorika e një periudhe të mëparshme
“Në këndvështrimin e zgjerimit të lidhjeve tona me të gjitha vendet e tjera në Europën Lindore, ajo që duket anakronike është se Shqipëria dëshiron të vazhdojë të funksionojë në një izolim të plotë”, - tha ai. “Shqipëria na flet akoma me retorikën kundërshtuese të periudhës së mëparshme. Ne nuk e dimë ende nëse ajo dëshiron të rifillojë marrëdhëniet. Nëse e dëshiron dhe kurdo që ta bëjë një gjë të tillë, do të na gjejë të përgatitur për t’iu përgjigjur”.
Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se adresimi për Shqipërinë ishte formuluar me kujdes dhe kjo nënkupton pritjen e një përgjigjeje nga qeveria shqiptare. Megjithëse mes vendeve të Ballkanit, Shqipëria i ka kthyer sytë nga Kina, si aleati i saj më i ngushtë dhe denoncon në mënyrë të vazhdueshme Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik.
Zyrtarët thonë se megjithëse Shqipëria është akoma larg dhënies së shenjave në çdo interes të veçantë për vendosjen e marrëdhënieve me Uashingtonin, disa zyrtarë të tjerë besojnë se ata mund ta bëjnë një gjë të tillë shumë shpejt. Ata theksojnë se në tre vitet e fundit Shqipëria ka vendosur lidhje me pothuajse të gjitha vendet e Europës Perëndimore dhe tani ka përfaqësuesit e saj në 56 vende. Mesazhi i zotit Rush është i pari i këtij lloji që i ofrohet tërësisht Europës Lindore, i bërë nga një zyrtar i lartë i administratës pas shumë vitesh. Duket se synohet jo vetëm të jepet sinjali te qeveritë e Europës Lindore për dhënien e një prioriteti të lartë prej Uashingtonit, por gjithashtu në krijimin e një politike amerikane për zhvillimin e lidhjeve më të ngrohta mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës Lindore. Zoti Rush bëri një apel të veçantë për biznesmenët amerikanë që të shqyrtojnë më tepër mundësinë për të bërë tregti me Europën Lindore.
“Ne dëshirojmë të shohim më shumë biznesmenë amerikanë të nisin që të ushtrojnë lidhje biznesesh fitimprurëse në Hungari, siç janë në Belgjikë; në Bullgari si në Norvegji; në Poloni si në Uruguai”, - tha ai. “Ne i nxisim të shesin, të investojnë dhe të blejnë në këto vende sipas mundësive që ofrohen dhe të bëjnë biznes të sigurt në Lindje në përputhje të plotë me interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.
Lidhjet u mbyllën në vitin 1939
Ai tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë çdo ditë mundësinë që tregtia me Europën Lindore të jetë normale, siç është me vendet kapitaliste. Shtetet e Bashkuara kishin marrëdhënie me Shqipërinë derisa Italia e pushtoi dhe më pas e aneksoi atë. Ky është një vend i ashpër, buzë detit Adriatik, që ndodhet në Veri të Greqisë dhe në Perëndim të Jugosllavisë. Pas luftës, kur mori pushtetin qeveria komuniste e drejtuar nga udhëheqësi i partisë Enver Hoxha, Shtetet e Bashkuara nuk i rifilluan më marrëdhëniet. Për shkak të diferencimeve të mprehta me Bashkimin Sovjetik, dy vendet ndërpresin marrëdhëniet në vitin 1961 dhe që atëherë Shqipëria ka shikuar tek Kina për të gjetur mbështetjen kryesore, ndonëse ka shtuar lidhjet me shtetet e tjera. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike me qeveritë komuniste të Kubës, Gjermanisë Lindore, Mongolisë, Koresë së Veriut, Vietnamit të Veriut dhe Kinën, megjithëse Uashingtoni zyrtar do të hapet shumë shpejt një përfaqësi diplomatike në Pekin.
Shtetet e Bashkuara janë treguar të gatshme të vendosin lidhje diplomatike me Gjermaninë Lindore deri në fundin e këtij viti. Ka informacione se administrata së shpejti po shikon mundësinë e zhvillimit të bisedimeve me Mongolinë. Por nuk ka të dhëna nëse Uashingtoni ka ndonjë plan të vendosë lidhje me Kubën ose Korenë e Veriut. “Marrëdhëniet me Vietnamin e Veriut do të varen sesi do të jenë zhvillimet pasluftës në Indokinë”, - thonë zyrtarët e Administratës.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 4 prill 1973
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka

7 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›