Centrali bërthamor, sa mundësi ka Shqipëria
Luan Shtëpani
Centrali i parë atomik u ndërtua në vitin 1954 me fuqi 5000 lilovat-orë, të tjerë e pasuan atë. Pas 25 vjetësh ato ishin 200 dhe prodhonin 125 – 140 milion kilovat-orë energji. Edhe pse të dhënat nuk botohen plotësisht e të censuruara si në vitet e luftës së ftohtë, në vitin 2000 prodhimi i energjisë bërthamore duhet të ketë arritur afro 40-45 për qind të prodhimit botëror të energjisë. Kjo është fusha e shkencës dhe industrisë ku avancimet kanë qenë shumë të shpejta. Është e qartë se fillimisht këto janë ndërtuar në vendet e industrializuara si: USA, ish Bashkimi Sovjetik, vendet e zhvilluara të Evropës, Australi, Japoni, Kinë, Indi, etj. Ndërtimi i centraleve bërthamore nuk është çështje luksi ose dëshire, por zhvillimi, progresi. Vendet që ndërtojnë objekte të tilla me interes të jashtëzakonshëm ekonomik dhe rrezikshmëri, janë patjetër vende të zhvilluara në pothuajse të gjitha fushat e industrisë, me nivele të larta specialistësh në fushën tekniko-shkencore të mirëpërdorimit sepse incidentet në to janë me pasoja katastrofike ku me dekada të tëra vazhdojnë këto pasoja. Le të kujtojmë ndodhinë e Centralit Çernobilit) në Ukrainë, pasoja e së cilit vazhdojnë tmerrshëm edhe sot.
Shpërthimi i tij pati efekt dëmtues në shumë rajone vlerat u rritën edhe tre herë duke krijuar anomali artificiale dëmtuese për jetën, prodhimin dhe klimën. Hidrocentraleve dhe termocentraleve i është dashur një kohë tepër e gjatë, afro një shekull, për të arritur nivelin teknik dhe inxhinierik, nivel që centralet bërthamore e arrijnë në pak vite. Në vitet 60-të çmimi i prodhimit të energjisë nga centralet bërthamore ishte dy herë më i lartë nga ajo që përftohet nga H/C dhe termocentralet. Zhvillimi ekonomiko-industrial e ka ngushtuar shumë diferencën, por sipas mendimit të specialistëve asnjëherë nuk do të arrihet barazimi. Nuk duhet të harrojmë se lënda e parë e hidrocentraleve uji ndodhet më me shumicë se mineralet radioaktive. Uji ndodhet në sipërfaqe (lumenj, dete, oqeane) dhe nuk paraqet ato vështirësi të nxjerrjes së mineralit nga nëntoka. Duhet theksuar se mineralet radioaktive që nga fillimi i nxjerrjes nga nëntoka, transporti, pasurimi, vënia në përdorim për energji, janë me pasoja të rrezikshme për jetët e atyre që punojnë, ambientin dhe nëse ndodh katastrofa dëmi është i madh për jetën, ekonominë dhe do të duhen harxhime kolosale në dekada për riaftësimin që asnjëherë nuk do të jetë i plotë. Kujdesi për mineralet radioaktive për ruajtjen e njerëzve dhe mjedisit kërkon financime shumë të mëdha, ku jo të gjithë elementë përdoren për këtë qëllim. I vetmi që gjen përdorim është Urani. Bilanci energjetik i një centrali elektrik bërthamor është i ndryshëm në varësi të fuqisë së centralit. Një central elektrik bërthamor me fuqi 935 Megavat-orë prodhim çdo vit 6 miliard kilovat-orë, për këtë konsumon 158 mijë kg uran. Për krahasim një termocentral i sotëm një ton karburant i lëngët jep 4500 kilovat-orë energji, kurse një ton qymyr jep mbi njëmijë kilovat-orë. Ulja e çmimeve është arritur duke përsosur teknologjinë në nxjerrje.
Rezervat
Urani është elementi me numër rendor 92 në “Tabelën e Mendelejevit”, elementët radioaktivë janë 14, urani ka tre izotope, ku izotopi 235 përdoret dhe është kryesore në përfitimin e energjisë. Uran në sasi shumë të vogla dhe të papërfillshme ka pothuajse në tërë llojet shkëmbore dhe ujërat. Në Japoni sasi të vogla urani janë nxjerrë nga ujërat e detit. Sasia e uranit në ujërat është pasojë e shpëlarjes së graniteve uranmbajtës, fenomene të tilla vihen re dhe në bregun e Detit të Zi, Norvegji etj. Sipas specialistëve të gjeologjisë, që janë marrë prej shumë vitesh në Shqipëri me kërkimin e mineraleve radioaktive të pasur me këto minerale janë Afrika, Kongo Bashkimi Jugafrikan, Zimbabve. Në Kongo përmbajtja e uranit e kalon edhe 1 për qind. Atje ndodhet edhe në sipërfaqe dhe prania e izotopeve të tjera të uranit dhe të elementeve të tjerë transuranikë, zhvillimi i dizintegrimit radioaktiv natyror i ka bërë të emërtohen “reaktor natyrorë”. Shquhen edhe Kanadaja, USA dhe Brazili ku 20 vitet e fundit janë zbuluar vendburime të mëdha. Veçohet gjithashtu India, Çekia dhe më pak prani të uranit; Sllovenia, Italia Rumania, Franca, etj. Suedia për nevojat e tyre e nxjerr nga reshpet e zeza të grafito- bituminizuara me përmbajtje shumë të ulët (0,004-0,001). Reshpe të tilla, por më të varfra ka edhe Shqipëria. Kostoja e nxjerrjes së uranit nga këto reshpe është shumë e lartë, për Shqipërinë është stratosferike. Për sa më lart vendi ynë është shumë i varfër me mineralet radioaktive. Nisur nga lokalizimi litologjik ai varfërohet edhe më shumë. Qytetarët dhe politikanët japin mendime dhe propozime nga më të çuditshmet. Ne kemi shkencëtarë të shumtë në të gjitha fushat. Ndër vite kemi patur shkencëtar të zot në fushën e fizikës dhe një Institut të kërkimeve bërthamore, gjithashtu dhe një ekspeditë për kërkimin e mineraleve radioaktivë”.
Centralet
Minerale radioaktivë nuk kanë shumë vende, centrale bërthamore ndërtojnë vendet e zhvilluara një pjesë jo e vogël bazohet tek eksporti dhe importi. Kërkesat në rritje për këto minerale me interes strategjik bën që çmimet e mineraleve radioaktivë asnjëherë të mos ulen, por vazhdimisht të jenë në rritje pasi rezervat minerale nga përdorimi i gjithanshëm zvogëlohen vazhdimisht. Importi dhe eksporti i mineraleve radioaktivë vazhdimisht është i kontrolluar se ku përdoret, ka një qendër ndërkombëtare në Vjenë. Bota njeh raste të shumta të kontrabandës së lëndëve bërthamore, për rrjedhojë nuk lejohet dhënia ose blerja e lëndëve radioaktive nga çdo shtet. Ka shtete që qëllimin e vërtetë të përdorimit të mineraleve radioaktive nuk e paraqesin zyrtarisht. Në të tilla raste ndërhyn qendra në Vjenë dhe OKB-ja.
Po sipas z. Shima lënda radioaktive,vetë centrali bërthamor, aparaturat e kushtueshme dhe personeli duhet ruajtur dhe për të punuar duhet siguri e fortë. Nevojitet për këtë polici dhe ushtri e veçantë e besueshme, por edhe kjo e trajtuar nga ana higjeno- shëndetësore etj. Ndërtesa dhe ambiente pune komode dhe ambiente të veçanta, specialistë për aparaturën, magazina të veçanta për ruajtjen e mineraleve, etalonëve, burimeve radioaktive etj. Sipas specialistëve jo vetëm aparaturat, por dhe etalonët për kontrollin e aparaturave që kishim në përdorim para vitit 1990 për kërkimin e mineraleve radioaktivë, janë të kataloguar në Shqipëri e këto dokumente ndodhët dhe në qendrën e Vjenës. Drejtori në Vjenë Elbaradej vazhdon t’i kërkojë Shqipërisë llogari për etalonët, sepse i ka në inventar dhe mban përgjegjësi ku janë dhe përse përdoren. Aparaturat janë tepër të kushtueshme dhe kërkojnë specialistë të vërtetë për përdorimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre. Nëse do të mbahen specialistët e huaj ato kërkojnë paga shumë të larta ndërkohë sa për inforamacion specialistë shumë të mirë ka patur dhe në vendin tonë, por politika e ndjekur i largoi ato nga vendi ose nuk iu dha asnjë mundësi për të punuar në fushën e tyre.
Zgjidhja
Shqipëria e ka siguruar kryesisht energjinë nga burimet hidrike. Pa përmendur rrugët e shumta të përfitimit të energjisë, përfitimi i energjisë nga uji që është në një sasi rreth 40 miliard metër kub në vit me një prurje mesatare shumëvjeçare të lumenjve rreth 1300 metër kub në sekondë është kryesor. Teorikisht mund të prodhohen afro 17 miliard kilovat-orë në vit. Deri tani prodhohen afro 6 miliard kilovat-orë në vit. Nëse do të ishin zbatuar studime dhe projektet të që nga viti 1970 për përfitimin e energjisë nga ujërat, qymyret, deri tek energjia që përfitohet nga biomasa vendi ynë jo vetëm që nuk do të vuante për energji, por do të ishte bërë një ndër eksportuesit më të mëdhenj. Energjia mund të përfitohet edhe nga era fillimisht mund të instalohen aparatura në Milot, Bulqizë e Tepelenë. Njëkohësisht në disa vende si Suedia përfitohet energji edhe nga shistet e zeza. Të tillë shkëmbinj në Shqipëri ka plot dhe me rezerva kolosale si në Kir ( Dukagjin Shkodër), Cerem e Lekbibaj ( Tropojë) Shishtavec (Kukës) Shupenzë (Peshkopi) Klenjë, shiste bituminoze (Gjirokastër- Sarandë). Këto shkëmbej shfrytëzohen me lehtësi. Tecet mund të ngrihen në vende ku nuk ndotin ambientin. Qeveritarët duhet të kërkojnë nga specialistët projekte konkrete dhe jo projekte që kërkojnë kosto shumë të lartë si centrali bërthamor.
7 Prill 2008