U kap me drogë,Apeli lë në burg studenten
TIRANE – Apeli për Krimet e Rënda lë në burg Aurora Liçon, studenten e arrestuar një muaj më parë, teksa po tentonte në drejtim të Greqisë gjysmë kilogrami kokainë. Në seancën e djeshme, mbrojtësi ligjor i studentes së mjekësisë ka kërkuar një masë më të lehtë se ajo e dhënë në Shkallën e Parë për klienten e tij. Pretendim ky i argumentuar me faktin se Liço duhet të ndjekë studimet e lëna në mes. Pretendimi nuk është vlerësuar si bindës për gjykatën, e cila ka lënë Liçon në masën e sigurisë “arrest me burg”. Aurora Liço, 21 vjeçe, studente në vitin e dytë të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, ra në prangat e policisë më 25 tetor të këtij viti, kur me një taksi të marrë në qytetin e Korçës po tentonte kalimin në pikën kufitarë të Kapshticës. Pas informacioneve të siguruara specialistët e Antidrogës së Policisë së Shtetit gjetën në çantën e saj 640 gramë kokainë e pastër, e cila ishte e destinuar për t’u trafikuar në Greqi. Vetëm një ditë pas arrestimit të saj në pranga ranë edhe furnitorët e saj Ilia Naslazi, 46 vjeç, si dhe Pandush Naslazi, 36 vjeç. Mbi tre të mësipërmit rëndon akuza e “trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike në bashkëpunim”. ar.ba