“Takimet për buxhetin,Rama mashtron qytetarët”
ZIRINA LLAMBRO
Një farsë, ku zëri e hallet e qytetarëve të Tiranës nuk dëgjohen aspak. Përkundrazi, turi “Thuaje fjalën tënde” e kreut të Bashkisë, Edi Rama, është katandisur në “Thuaj fjalën e PS” dhe “Dëgjoni këngën time”. Kështu e ka komentuar Kryetarja e njësisë bashkiake nr.6 ndalesën e radhës së kryebashkiakut. Në reagimin e saj, Luzhiana Abazaj sqaron se janë përjashtuar jo vetëm qytetarët, por edhe drejtuesit e njësisë bashkiake. Kjo ndonëse janë aktorët kryesorë që duhet të ishin prezent në takim. Ajo shton se nuk është njoftuar se pikërisht në njësinë që drejton do të mbahej ky takim. “Një vit më parë, Rama nën formulën “Thuaje fjalën tënde” ka përcaktuar qartë se aktorët kryesorë janë komuniteti, njësia bashkiake dhe Bashkia e Tiranës. Në fakt, me veprimin e ndërmarrë nuk zbatohet bashkëpunimi institucional. E ndërsa pretendohet se diskutohet një projektbuxhet me komunitetin, në cilin institucion do të paraqitet për zbatim ky projektbuxhet? Pasi prej kohësh Rama nuk është i gatshëm për bashkëpunim me këtë njësi bashkiake, që ligjërisht është zbatuesja e pjesës më të madhe të investimeve”, deklaron Abazaj. Sipas saj, në takim kanë mbizotëruar anëtarë dhe simpatizantë të forcës politike të PS së Kombinatit dhe drejtues të Bashkisë së Tiranës. Nuk ka qenë i pranishëm komuniteti i vërtetë i saj. I organizuar në një nga lokalet e njësisë bashkiake, ka munguar fryma e përfaqësimit të problematikës reale që kërkon zgjidhje nga ana e Bashkisë së Tiranës. “Si në shumë takime të tjera, dhe këtu Rama është mjaftuar me prezantime të shifrave, të cilat presupozohet se do të investohen nga ana e bashkisë. Por si duket, ai ka frikë nga e vërteta”, thekson Kryetarja e njësisë bashkiake nr.6. Kjo pasi, sipas saj, një vit më parë u hartua dhe miratua një projektbuxhet që mbeti vetëm në letër. Madje edhe për projektbuxhetin e vitit qe vjen janë të njëjtat investime që janë premtuar se do të kryheshin këtë vit. Aktualisht, sipas Abazajt, nga gjithë ato që u miratuan është realizuar vetëm sheshi në qendër të Kombinatit dhe asnjë investim tjetër në drejtim të infrastrukturës së kësaj njësie. “Ndërkohë që e kundërta ka ndodhur nga ana e menaxhimit të të ardhurave që kjo njësi bashkiake ka menaxhuar gjatë vitit 2008. Vetëm në sajë të fondeve të minibashkisë janë realizuar 6 segmente rrugore me impakt të ndjeshëm në komunitet, me vlerë 25 milionë lekë” saktëson kryetarja. Ajo sqaron se kërkesat e komunitetit do t’i nisen bashkisë në mënyrë zyrtare, por mungesa e bashkëpunimit institucional po e kthen situatën në hulli politike. “Konkretisht janë bërë dy asfaltime rrugësh, për të cilat unë jam shprehur publikisht. Pa pasur asnjë projekt, pa pasur asnjë kërkesë dhe pa dijeninë e njësisë bashkiake. Kjo nuk do të ndodhë më në njësinë nr.6”, pohon kryetarja. Sa i përket formularit të shpërndarë për të marrë mendimin e qytetarëve, ajo e cilëson një turp dhe një mashtrim që Rama kërkon t’ia bëjë sërish komunitetit. “Është turp që Rama pretendon se ka investuar për komunitetin. Ndërkohë që ato mund të jenë shifra në mendjen e çoroditur për fitime të tij dhe njerëzve që e rrethojnë. Nëse Rama do të kërkonte vërtetë ballafaqim serioz dhe institucional, do të ishte mirë që këtë ta bënte në prani të administratës së njësisë tonë, dhe jo me beniaminët e tij. Por ajo që e tremb Ramën është fakti se kjo njësi ka në moralin e punës jo vjedhjen dhe shpërdorimin e milionave, por mbrojtjen edhe të një qindarke që shkon në emër të komunitetit” thotë Abazaj