Ban Ki-Mun: Situata në Kosovë e qëndrueshme
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Mun ka vlerësuar në raportin e publikuar sot për Këshillin e Sigurimit se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme. "Përderisa autoritetet e Kosovës vazhdojnë të kenë marrëdhënie pune me përfaqësuesin tim të posaçëm Lamberto Zannier, UNMIK-u përballet me sfida në rritje për plotësimin e mandatit të tij",- thuhet në raport. Raporti thotë se "autoritetet e Kosovës kanë vazhduar të veprojnë mbi bazë të Kushtetutës së Kosovës", duke mos përfillur më tej pushtetin tashmë të tejkaluar të UNMIK-ut, i cili në Kosovën e pavarur që e kanë njohur 56 shtete, është i panevojshëm. Sekretari i Përgjithshëm ka konstatuar se ka ardhur deri tek bartja e përgjegjësisë në sektorin e drejtësisë nga UNMIK-u tek EULEX-i. Ki-Mun po ashtu ka theksuar se misioni i rikonfiguruar i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të mbetet në numër të zvogëluar në Mitrovicë dhe se do të merret me çështjet e pakicave, kthimin e të zhvendosurve, lirinë e lëvizjes dhe trashëgiminë kulturore. Raporti i Sekretarit të përgjithshëm i cili u publikua në faqen e internetit dhe u shpërnda më pas në Kombet e Bashkuara, tashmë iu është kaluar anëtarëve të KS të OKB-së, të cilët të më 23 mars në Nju Jork do të debatojnë lidhur me të dhe për zhvillimet gjatë tre muajve të fundit në Kosovë.
EULEX: Nuk mund të punojmë pa Serbinë
BEOGRAD-Shefi i Misionit të EULEX-it Iv de Kermabo, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar në Beograd në kuadër të Misionit Evropian të Sundimit të Ligjit, që ka filluar në dhjetorin e vitit të kaluar në Kosovë. Në një komunikatë për media të EULEX-it thuhet se Kermabon është takuar me zëvendës kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Brendshme Ivica Daçiç, ministren e Financave, Diana Dragutinoviç dhe ministren e Drejtësisë Snezhana Maloviç të Serbisë. Ai, po ashtu, është takuar për drekë me ministrin Serb për Kosovën në Qeverinë Svetkoviç, Goran Bogdanoviç. Bogdanoviç i ka transmetuar shefit të EULEX-it gatishmërinë e Serbisë për vazhdimin e bashkëpunimit për sa kohë EULEX-i ka status neutral, njofton qeveria e Serbisë. Bogdanoviç dhe shefi i EULEX-it kanë biseduar edhe për problemet lidhur me furnizimin me energji elektrike të serbëve në Kosovë. Ekspertët ishin gjithashtu të pranishëm në të dy delegacionet, përfshirë shefat e komponentëve të Drejtësisë, Policisë dhe Doganave të EULEX-it. "Është hapi i parë. Ne duhet të punojmë me të gjithë aktorët, përfshirë Serbinë, nëse dëshirojmë ta luftojmë krimin e organizuar dhe të krijojmë stabilitet për të gjithë njerëzit në Kosovë", tha shefi i EULEX-it. "Ne nuk mund të punojmë pa pjesëmarrjen e komunitetit serb", shtoi ai. Ndërkaq, Prishtina zyrtare mirëpret ndihmën që mund ta ofrojë EULEX-i për vendosjen e një bashkëpunimi me Beogradin në fushën e sundimit të ligjit, thotë korrespondentja e BBC-së në Prishtinë.Por ajo shton se Prishtina nuk do që dëshiron që bisedimet për policinë, gjyqësinë e doganat të mbështeten në Planin Gjashtëpikësh të OKB-së për praninë ndërkombëtare në Kosovë.