E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët në protestë për tokat

 

KURBIN - Zgjerimi i autostradës çon në protestë sërish banorët e Kurbinit. Dhjetëra banorë u mblodhën dje në kryqëzimin e rrugës së Patokut, nga ku i kërkuan qeverisë dëmshpërblimin e pronave të tyre. Punimet në segmentin Mamurras-Milot u ndërprenë për gjithë ditën. Policia ishte e pranishme, por nuk ndërhyri për të shpërndarë protestuesit. Banorët nuk janë dakord as me çmimin që ata do të kompensohen. Njëri prej protestuesve, Gjon Rica, pohoi se tokat e tyre do të shpronësohen me një vlerë prej 3.5 milionë dynymi. Ndërkohë, gjashtë vite më parë e njëjta sipërfaqe është shpërblyer me 14 milionë lekë dynymi. Sipas protestuesve, në sajë të projektit për rreth-rrotullimin, për të hyrë në autostradë, laçianët duhet të shkojnë më parë në Milot. "Nëse dërgojmë një njeri në spital në Tiranë, na duhet të bëjmë disa kilometra gjer në Milot, e më pas të kthehemi në autostradë", u shprehën ata.                       r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›