E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasetat e kamerave, prova për arratisjen e të dënuarve përjetë

 

BURREL - Gjyqi për arratisjen e bujshme të 5 prillit 2008 nga Burgu i Sigurisë së Lartë Burrel po shkon drejt përfundimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat. Ashtu siç kryetari i trupit gjykues, Ali Koleci kishte deklaruar seancën e mëparshme, dje në sallën e gjyqit janë shfaqur pamje filmike rreth sigurisë në këtë institucion të vuajtjes së dënimit. As të pandehurit, as avokatët fillimisht nuk kanë kundërshtuar shfaqjen e këtyre pamjeve filmike, por më vonë janë shprehur se kjo përbënte shkelje ligjore, pasi shfaqja në publik e mjediseve të brendshme e të jashtme të burgut përbën sekret shtetëror. Prokurori i çështjes, Sabri Kastrati kërkoi shfaqjen e tre CD-ve ku faktoheshin sipas tij shkeljet e kryera nga specialistët e burgut të Burrelit. Prokurori këmbënguli duke shfrytëzuar pamjet e kamerave të sigurisë, se kontrollet e ushtruara në dhomat e të dënuarve nuk janë kryer me korrektësinë e duhur dhe se nuk janë marrë masat e duhura për të parandaluar arratisjen. Sipas Kastratit, specialistët e sigurisë kanë qenë në dijeni, se përveç dritares ku është kryer saldimi i kangjellave, ka qenë një tjetër dritare me tela të prerë dhe nga specialistët është nënvleftësuar padrejtësisht. Nga pamjet filmike dallohej se magazina ku ndodhi arratisja është kontrolluar për 4 minuta, ndërkohë disa dhoma të tjera ngjitur me të vetëm janë vëzhguar disa sekonda, duke nënvleftësuar faktin se edhe dhoma të tjera kanë pasur probleme sigurie. Gjatë seancës së djeshme ka zgjatur jo pak debati në lidhje me disa dokumente që të akuzuarit për shpërdorim detyre kanë dorëzuar në gjykatë për vetëmbrojtje. Leximi nga kryesuesi i seancës Koleci ka sjellë reagimin e prokurorit Kastrati. Sipas tij, disa nga dokumentet e dorëzuar përbëjnë sekret shtetëror dhe nuk duheshin servirur. Aq më tepër kur këto dokumente ishin origjinal. "Skema e sigurisë në burg", "urdhrat për masat e sigurisë", "planvendosja e rojeve", e të tjera dokumente që aktualisht ndodhen në dosjen voluminoze të kësaj çështjeje, janë konsideruar si dokumente sekret dhe që krijojnë probleme për gjashtë të pandehurit. Prokurori ka pretenduar se ato dokumente janë siguruar në rrugë të paligjshme dhe se janë mbajtur në shtëpi nga specialistët e burgut, ndërkohë këto të fundit janë shprehur se kopje të tjera të këtyre dokumenteve ndodhen aktualisht në Drejtorinë e Burgut të Burrelit.                              h.p

Bie kërkesa e prokurorit

Në seancën e administrimit të provave, prokurori ka kërkuar dhe përfshirjen në dosjen prej 370 faqesh dhe deklarimet e të pandehurve, pasi sipas tij deklarimet e dhëna në seancën e masës së sigurimit janë të ndryshme nga ato të procesit gjyqësor. Ndërkohë avokatët Agim Tirana, Suzana Hoti dhe të pandehurit E. Brahilika, Th. Rumnici, K. Laci, R. Hoxha, L. Hysa e K. Domi janë shprehur kundër kësaj kërkese, duke sqaruar se kjo mund e duhej kërkuar nga përfaqësuesi i organit të akuzës në seancat e mëparshme. Pas kërkesave të të dyja palëve, Koleci vendosi të rrëzojë kërkesën e prokurorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›