Ioan Caramitru, Hamleti viziton tokën e të parëve
Është veshur si Romeo, Hamlet, Oktavius, por roli që i dha më famën është ai i Hamletit. Ndonëse dilema e princit shekspirian ishte "të jesh, apo të mos jesh", Ion Caramitru, vendosmërisht zgjodhi të ishte, edhe pse formulën e famshme i është dashur ta përsërisë qindra herë. Një nga Hamletët më të mirë të Evropës, një nga aktorët dhe regjisorët më në zë, Ion Caramitru viziton së shpejti Shqipërinë. I ftuar nga Teatri i Metropolit, ai do t'i bjerë i pari gongut, që do të shënojë hapjen e teatrit të kryeqytetit. Për drejtorin e Qendrës Kulturore "Tirana", ku përfshihet edhe Teatri i Metropolit, Kiço Londo, kjo është një ngjarje e madhe. "Të përurojë teatrin një personalitet si Ion Caramitru, është një ogur i mirë për vijimësinë e këtij institucioni", - thotë Londo. Caramitru do të vijë në Tiranë në datën 3 prill dhe do të largohet në datën 5 prill. Në programin e vizitës së tij, krahas takimeve me njerëz të artit, ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kryebashkiakun e Tiranës, apo shfaqjen e një prej filmave të tij më të njohur, "Luchian" në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar është parashikuar edhe një vizitë në qytetin e të atit, në Korçë. Duke qenë se për të origjina është shumë e rëndësishme, nuk do të humbasë rastin të vizitojë shtëpinë ku ka jetuar familja e tij përpara zhvendosjes në Rumani. Caramitru, aktualisht është drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar "I.L. Caragiale" në Bukuresht, Rumani. Disa herë i emëruar drejtor i Përgjithshëm i Teatrit "Bulandra", është pedagog në Akademinë e Teatrit dhe Filmit në Bukuresht, ku ka qenë edhe regjisor e aktor. Ion Caramitru është diplomuar në Institutin e Artit Teatral dhe Kinematografisë "I.L. Caragiale" në Bukuresht, për dramë. Nga viti 2001 mban postin e zv/presidentit të Këshillit Kombëtar për Bashkim, në komisionin përgjegjës për Kulturën dhe të Rinjtë, gjithashtu është zv/president i ECA (Këshilli i Evropës i Artistëve) për Evropën Juglindore. Ka marrë shumë çmime teatrale si regjisor në teatër, apo si aktor në filma. E ndërsa çmimet e tij si profesionist janë pa fund, mund të veçojmë ndër të tjera "Kalorës i Urdhrit Perandorak Britanik" nga Mbretëresha e Britanisë së Madhe, në vitin 1995, "Kalorës i Arteve dhe i Letërsisë në Francë", në vitin 1997 dhe në 2002 Urdhrin "Artist i Merituar" në Rumani. Është aktivizuar edhe në jetën politike, duke u bërë në fund të viteve '90, një nga njerëzit më të aktivizuar në procesin e ndryshimit të sistemeve. Në 22 dhjetor të 1989 ka qenë pjesëtar i Byrosë Ekzekutive të "Këshillit të Frontit të Shpëtimit Kombëtar", në pozicionin e presidentit të komisionit për Kulturën. Nga 1997-2001 ka qenë pjesëtar i partisë PNTCD dhe nënkryetar i kësaj partie. Nga 1996-2000 ka mbajtur postin e ministrit të Kulturës në qeverinë e Victor Ciorbea.