Teatër, mes spektatorëve edhe 17 të dënuara
Alma Mile
Sot do të ndihen si gjithë të tjerët. Ndoshta nuk do të mungojnë vështrimet ngultasi mbi to. Më së shumti kureshtje për të ditur se nga vijnë e çfarë kanë bërë. Megjithatë, të paktën do të bëjnë diçka që ndoshta nuk do ta kishin bërë në rrethana të tjera. Drama "Filumena Marturano", e cila prej disa javësh po shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar, do të ketë disa spektatorë të veçantë sot. Do të jenë disa gra që vuajnë dënimin në burgun e Tiranës dhe që për dy orë kanë fituar të drejtën të marrin frymë jashtë mureve të qelive. Sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, kjo ishte një ide e përbashkët e TK-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që synon integrimin në shoqëri të kësaj kategorie njerëzish, që po paguajnë për një krim që kanë kryer. Drejtori Skrami thotë, se kjo është një ide e hershme, por u zgjodh pikërisht "Filumena Marturano" për shkak të përmbajtjes së saj dhe mesazhit që përcjell, për vlerat e familjes, për të drejtat e gruas dhe të fëmijëve. Nuk do të jetë një shfaqje posaçërisht për to. Gratë e dënuara do ta shohin dramën në orarin e zakonshëm, në orën 19.00. Ndoshta shumë nga ato do të gjejnë veten tek personazhi kryesor, tek e forta dhe e brishta Filumenë. E detyruar të prostituojë në një moshë fare të re, për t'i shpëtuar mizerjes në të cilën ishte kredhur familja e saj, e më pas për të fituar të drejtën e të qenit grua legjitime, Filumena është pasqyrë e shumë grave. Gratë që do të jenë spektatoret "speciale" të shfaqjes së sotshme vijnë nga i njëjti realitet. Ndoshta nuk kanë kaluar përmes trotuarit të prostitucionit, por janë dhunuar fizikisht e verbalist dhe pastaj kanë guzuar të ngrenë krye, por në rrugën e gabuar, vetëgjyqësinë. Edhe pse mendohej se do të ishin më shumë në numër, mësohet se do të jenë 17 gra që kanë përfituar leje, për të shkuar në teatër. Dje, të dërguar të Drejtorisë së Burgjeve, kanë vizituar Teatrin Kombëtar, duke studiuar të gjithë hapësirën dhe vendet ku do të ulen të burgosurat. Do të ulen në rreshtin e dytë në sallë dhe do të jenë sigurisht të shoqëruara nga punonjësit e burgut. Mësohet se janë marrë të gjitha masat e sigurisë, me qëllim që gjithçka të shkojë qetësisht, duke nisur që nga transporti i tyre, vendosja në sallë, shfaqja e dramës e rikthimi në qeli. Gratë që do të ndjekin sot dramën e Eduardo de Filippos, janë përzgjedhur mes të dënuarave të tjera, për shkak të sjelljes së tyre pozitive, por ka edhe nga ato që janë duke vuajtur muajt e fundit të dënimit. Këto të dënuara nuk janë të parat që lënë qelitë për të marrë pjesë në një aktivitet kulturor. Një vit më parë, ishte fotografja Annaleen Louwes, e cila u fut në burgun e grave për të realizuar portrete të së dënuarave. Ekspozitën me portretet e tyre, pjesë e projektit "për ata që nuk mund të hyjnë", ajo e hapi në galerinë "Zeta", ku u bë e mundur edhe vizita e 10 grave, që ishin zgjedhur nga Louwes si subjekte të fotografive të saj.