E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Mun përball Sejdiun me Tadiç

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtëm, Skaënder Hyseni, do të marrin pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të përballen me liderin serb. 

Ftesa e tyre ka ardhur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, pasi qëllimi i seancës është diskutimi dhe paraqitja e përshtypjeve nga Serbia dhe Kosova mbi planin e kreut të OKB-së për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX. Propozimi i Ban Ki Mun iu dorëzua pak ditë më parë Prishtinës dhe Beogradit. Ndërsa Prishtina fillimisht nuk e përkrahu këtë plan, duke reaguar ashpër për faktin se në të nuk përmendej ende fjala pavarësi. Vetëm një ditë më parë, Presidenti Sejdiu tha qartë me terma diplomatikë se Kosova e kishte mbështetur këtë plan, duke theksuar se “institucionet e Kosovës ishin të hapura dhe në dispozicion të OKB-së për zbatimin e këtij plani”. Sipas të gjithë analistëve politikë që kanë komentuar nëpër media të huaja dhe vendase, elementi më i mirë i këtij plani është fakti se Ban Ki Mun ka propozuar që UNMIK të qëndrojë nën hijen e EULEX, duke i dhënë kështu misionit të BE-së të drejtën për të pasur kompetenca më të gjera se misioni i OKB-së, UNMIK, i cili sipas planit të Ahtisarit, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës është i jashtëligjshëm. Ndërsa Serbia në të gjithë nivelet e ka kundërshtuar planin e Ban Ki Mun, duke akuzuar kreun e OKB-së se ka menduar mënyra që të çojnë tërthorazi drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në një prononcim të Kryeministrit serb Vojisllav Koshtunica, thuhet se ky plan çon gradualisht “në një portë të pasme”, që parashikon njohjen e pavarësisë së Kosovës. Edhe kësaj radhe liderët e dy vendeve flasin ndryshe. Në takimin e Këshillit të Sigurimit do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Pritet që liderët të mbajnë fjalën për të shpjeguar pozicionin e tyre karshi planit të Ban Ki Munit në përpjekje për të gjetur një gjuhë të përbashkët. Kosova e shikon veten më të favorizuar në këtë mbledhje, edhe pse nuk pritet të merret ndonjë përfundim, pasi presidencën e Këshillit të Sigurimit për këtë muaj e mbajnë Shtetet e Bashkuara.  

Thaçi: Fqinjët do të na njohin shpejt

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se qeveria e Kosovës është e hapur dhe e interesuar të ketë marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Ndërkohë që një pjesë e rajonit ende nuk e  ka njohur pavarësinë e Kosovës, Thaçi është shprehur optimist se tashmë që Kosova ka edhe Kushtetutën e saj, shumë gjëra do të ndryshojnë. Kryeministri i Kosovës është shprehur se Kosova i ka marrëdhëniet e mira me Maqedonisë dhe shpreson që shumë shpejt Maqedonia do të bëjë edhe njohjen e pavarësisë, mbase pas formimit të qeverisë së re. Thaçi ka deklaruar se Kosova deri më tani ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, duke përmendur këtu Shqipërinë dhe Malin e Zi. Ndërkohë që kryeministri ka deklaruar se pret që shumë shpejt edhe Mali i Zi të bëjë njohjen e pavarësisë. Pak javë më parë, nga burimet brenda qeverive të këtyre vendeve, disa media kanë pohuar se Maqedonia dhe Mali i Zi do ta njohin Kosovën në qershor apo korrik. Ndërsa diplomatët e këtyre vendeve kanë deklaruar se qeveritë përkatëse nuk kanë caktuar ende ndonjë datë për njohjen e Kosovës dhe këtë hap do ta hedhin vetëm nëse do të jetë e volitshme për vendet e tyre. Edhe Bosnjë-Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën. Institucionet e këtij vendi kanë deklaruar se  dëshirojnë të kenë marrëdhënie të mira me të gjithë vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, kështu që do të presin për të marrë këtë vendim. Kosova ka kërkuar edhe me dokumente zyrtare të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore edhe me Serbinë, por serbët e kanë refuzuar një mundësi të tillë, duke deklaruar se nuk ka pse iu kërkohet të krijojnë marrëdhënie të mira me veten.                

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›