E Shtunë, 31 Tetor 2026

Celularët, qeveria ul me detyrim 20 për qind tarifat

Tani të bisedosh nëpërmjet telefonisë celulare do të kushtojë më pak. 

Fabiola Çela

 Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar metodologjinë e rregullimit të tarifave të operatorëve të telefonisë celulare dhe Albtelekom. Në këtë mënyrë është hapur drita jeshile për uljen e çmimit të impulseve telefonike. Ky është një lajm i mirë për të gjithë konsumatorët, pasi çmimet e bisedave në celular në Shqipëri kushtojnë më shumë se në vendet e tjera të rajonit. Ulja e tarifave është parashikuar të nisë që këtë vit.
Vendimi
Qeveria ka miratuar dje projektvendimin “Për miratimin e metodologjive të rregullimit të tarifave të organizmit me fuqi të ndjeshme në treg, Albtelekom, Vodafone Albania dhe AMC”. Gjatë miratimit të metodologjisë, kreu i qeverisë, Berisha, theksoi se ky vendim është kusht për respektimin e konkurrencës së lirë në treg dhe do të ndikojë në uljen e çmimit të impulseve. “Pas një pune të madhe, Enti Kombëtar i Telekomunikacionit dhe Frekuencave ka sjellë për miratim metodologjinë e rregullimit të tarifave, të organizimit të operatorëve me fuqi të ndjeshëm në treg, ku përfshihen jo vetëm celularët, por edhe Albtelekom. Po bëhet një përpjekje e madhe që tregu të vijë në parametrat e tij. Ardhja në këto parametra do të thotë ulje e ndjeshme e çmimit të impulseve elektronike. Kjo nuk është ndërhyrje në treg, përkundrazi është një kusht që të respektohet konkurrenca e lirë dhe e ndershme dhe jo marrëveshja e sipërmarrjeve, sepse ato nuk i lejon tregu i lirë”, u shpreh Kryeministri.
Tarifat
Metodologjitë e miratuara dje parashikojnë reduktimin e shpenzimeve të konsumatorëve, me 20% brenda vitit 2008 dhe një reduktim mesatar të mëtejshëm me 20% brenda vitit të ardhshëm. Kjo do të sjellë një ulje mesatare në total prej 36% në vitin 2009, në krahasim me shpenzimet aktuale. Vendimet e mësipërme kanë për qëllim që tarifat e vendosura nga operatorët me fuqi të ndjeshme në treg (Albtelekom, Vodafone Albania, AMC) të jenë të orientuara drejt kostos, të jenë transparente, të mos jenë diskriminuese dhe të garantojnë trajtim të barabartë për operatorët dhe pajtimtarët. Ndërkohë në janar të këtij viti vetë ministri i Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka prezantuar para mediave projektligjin e ri “Për komunikimet elektronike”. Në deklaratën e tij për media, kreu i kësaj ministrie, Olldashi, ka theksuar se një nga synimet themelore të këtij projekti është rregullimi i tregut të deformuar që ne kemi. Madje, sipas tij, telefonia celulare në Shqipëri është më e shtrenjta në kontinent dhe është pa diskutim më e shtrenjta në vendet e rajonit dhe një gjë të tillë e ka cilësuar si të papranueshme. Sipas ndryshimeve të bëra, përcaktimi i operatorëve me fuqi të ndjeshme në treg nuk do të bëhet më për një periudhë të kufizuar kohe, por do të bëhet për minimalisht 2 vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›