Ban kërkon zgjidhje për Maqedoninë

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, apeloi te Athina dhe Shkupi që kontestin e emrit ta zgjidhin sa më shpejtë që është e mundur.
Ai ka theksuar se me zgjidhjen e këtij problemi, Maqedonisë i hapet rruga drejtë anëtarësimit në strukturat euroatlantike, në NATO dhe BE.
Zëdhënësi i OKB-së, Martin Nesirski, para takimit të sotëm të ndërmjetësuesit Mathew Nimitz me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Jolevski dhe Ademantios Vasilakis, e ka shprehu qëndrimin e Ban Ki Moonit se kontesti rreth emrit është “kompleks dhe se po zvarritet tepër” .
Zyra për informim e ndërmjetësit Nimitz bëri të ditur se takimet do të jenë të ndara me negociatorin e palës maqedonase, diplomatin Jolevski, si dhe më pas me negociatorin grek, Vasilakis.
Mediat greke kanë bërë të ditur se Qeveria e Athinës pret takime konstruktive me ndërmjetësinë e OKB-së, por një pjesë e madhe e tyre nuk i kushtojnë shumë vëmendje kësaj nisme të radhës, pas ndërprerjes së gjatë të procesit.
Gazeta greke “Macedonia” shkruan se diplomacia greke ka pritje minimale nga rezultatet e takimit.
“Derisa në pushtet është Gruevski, vështirë është për tu arritur deri tek zgjidhja. Qeveria e Shkupit po e zvarrit procesin, për shkak se është në pritje të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë rreth ligjshmërisë së bllokadës greke për mos-anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO dhe mosrespektimin e marrëveshjes së vitit 1995 për respektimin e procesit të anëtarësimit me referencën FYROM”, shkruan gazeta.