Banda e "Aldo Bares" akuzohet nga Prokuroria për 6 vjet vrasje

02/02/2005 Vrasjet nisën vite më parë, në nëntor të vitit 1998. Shkak ka qenë një grindje mes viktimës Besnik Haxhiu dhe pjesëtarit të grupit të Aldo Bares, Gentian Xhaferri, edhe ky i plagosur e vdekur në vitin 1999, në Itali. Në datën e mësipërme, Besnik Haxhiu dhe Artan Sulçe, sipas akuzës, ishin duke lëvizur me automjetin tip fuoristradë nga qendra në drejtim të fabrikës së plastmasit, Lushnjë. Ndërkohë, Gentian Xhaferri së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit, i kishin zënë pritë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 68 gëzhoja të qitura, këto nga 5 armë të ndryshme. Mësohet se vrasja është bërë për hakmarrje. Më pas ka qenë tetori i vitit 1999, ai që ka hapur "luftën" midis grupit dhe policisë së komisariatit të Lushnjës. Policia kishte marrë urdhër të godiste me çdo kusht veprimtarinë e grupit. Pikërisht në këto momente ka filluar hakmarrja. Në datën 25 shkurt të vitit 2000, te "Blerimi" në Lushnjë, është goditur shefi i komisariatit, Sinan Meta. Por goditja nuk ishte vdekjeprurëse. Pak kohë më vonë, oficerit të policisë, Arben Koçi, i vihet eksploziv në banesën e tij, por pa pasoja. Ndërkaq nga kokat e grupit bëheshin plane të mëtejshme. Kështu, në datën 25 mars 2000, në hyrje të stadiumit në Lushnjë, vihen 5 kg eksploziv. 4 kg kanë qenë jashtë pakos dhe 1 kg brenda pakos. Të dyja sasitë kanë qenë të lidhura me njëra-tjetrën dhe ishin gati të shpërthenin me telekomandë. Këtë sasi eksplozivi e kishte pregatitur në mënyrë të specializuar shtetasi Riza Balla, i cili kishte punuar në ushtri. Eksplozivi ishte i destinuar të shpërthente në momentin që në stadium do të hynte shefi i komisariatit, Sinan Meta. Pakoja me eksploziv ishte vendosur me porosi të të pandehurit Maksim Çela. Eksperti në pako gjeti një gjurmë gishti, e cila i përkiste fillimisht Maksim Çelës, por më pas Gjykata e Elbasanit e pushoi çështjen me pretendimin se, gjurma e gishtit nuk ishte e Çelës. Vetëm në 2003-shin u bë krahasimi dhe një akt tjetër ekspertimi, që nxori fajtor shtetasin Petrit Liçi. Në 14 prill 2000, në lagjen "Xhevdet Neprevishta" në Lushnjë, vritet oficeri i policisë gjyqësore, Klenti Bano. Sipas akuzës, Bano nën drejtimin e shefit Sinan Meta kishte hartuar një plan për asgjësimin e bandës së Aldo Bares. Por plani mbeti në mes. Në vrasjen e Banos, sipas Prokurorisë, ka marrë pjesë edhe Gentian Kulla, pjesëtar i grupit, vrarë në vitin 2002.