Kapet në Itali vëllai i Enver Dondollakut
Dritan Dondollaku akuzohet nga policia italiane se ishte pjesë e një grup kriminal që shfrytëzonte vajza për prostitucion
Vëllai i Dondollakut, në një grup me rumunë dhe shqiptarë të tjerë. Përgjimet zbuluan rrjetin
ITALI- Arrestohet në Udine të Italisë, vëllai i Enver Dondollakut, krahut të djathtë të Aldo Bares. Dritan Dondollaku është prangosur mbrëmjen e së martës pas një hetimi të gjatë të policisë lokale mbi një grup kriminal që merrej me shfrytëzim prostitucioni. Në listën e gjatë të të arrestuarve të këtij grupi ishte edhe Dondollaku. Pjesa tjetër e të arrestuarve ishin shtetas rumun dhe shqiptarë, të cilët akuzohen nga policia italiane se kanë krijuar një grup kriminal, për shfrytëzimin e vajzave.
***
Ashtu si vëllai i tij, Enveri, edhe Dritan Dondollaku është përballur dje me prangat e policisë italiane. Emri i tij ishte shfaqur gjatë një hetimi për një grup trafikantësh dhe shfrytëzuesish femrash nga Rumania. Përgjimet telefonike kishin nxjerrë në skenë edhe emrin e lushnjarit, i cili më pas është hetuar nga policia lokale. Fillimisht hetimi ka nisur nga antimafia e Triestes në Itali dhe më pas çështja kaloi në Viçenca. Pasi policia lokale siguroi urdhër-arrestet, nisi edhe operacionin për të kryer arrestimet. Verifikimi tregoi se Dritan Dondollaku ndodhej në qytetin e Udines dhe arrestimi i tij u krye nga karabinierët e këtij qyteti. Ndyryshe nga i vëllai, emri i Dritan Dondollakut nuk figuron në hetimet e prokurorisë shqiptare për bandën e Lushnjes.
***
I njohuri sikrahu i djathtë i Aldo Bares në organizimin dhe drejtimin e bandës së Lushnjes, Enver Dondollaku ndodhet i arrestuar nga policia italiane. Enver Dondollaku ishte larguar nga Shqipëria duke ngritur një "perandori" krimi në veri të Italisë e duke pasur si bazë qytetin e Firenzes. Ai akuzohet të ketë ngritur aty një rrjet prostitutash, të cilat ishin shpërndarë në të gjithë veriun e Italisë. Por në vitin 2005 policia lokale shkatërroi këtë rrjet dhe arrestoi pjesën më të madhe të anëtarëve. Më 22 maj të vitit 2006, Dondollaku u dënuar me 16- vjet burg nga gjykata italiane. Pikërisht ky vendim e shpëtoi atë nga vuajtja e dënimit në burgjet shqiptare. Vetëm pak ditë më parë Gjykata për Krimet e Rënda dha vendimin në ngarkim të Enver Dondollakut duke e dënuar atë me burgim të përjetshëm. Por duke qenë se ishte aplikuar gjykimi i shkurtuar ai përfitoi dhe dënimi u shndërrua në 25 vjet burgim. Ai pritet të shlyejë këtë dënim të drejtësisë shqiptare, pas 16 vitesh burg në Itali.