E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, 65 punëtorët e gjelbërimit, në grevë

Punëtorët kundër kthimit të ndërmarrjes në administrim privat: Do mbetemi pa punë
ELBASAN-Punëtorët e ndërmarrjes së Gjelbërimit kanë nisur grevën duke u grumbulluar para kinema «Millenium» paraditen e djeshme. Shkak i nisjes së kësaj greve ka qenë vendimi i Këshillit Bashkiak të qytetit të Elbasanit për rikthimin e Ndërmarrjes së Gjelbërimit në administrimin privat. Punëtorët kanë kërkuar nga Këshilli Bashkiak të rikthejë ndërmarrjen e tyre sërish pranë institucionit vendor, pasi vetëm kështu ata do ta kenë punën e garantuar dhe nuk do të shkelen të drejtat e tyre. Punëtorët i janë drejtuar këshilltarëve të djathtë, duke i bërë thirrje të shikojnë ndryshimet reale në gjelbërimin e qytetit, pemët dhe drurët e mbjellë vetëm për 6 muaj. "Kur Gjelbërimi ishte në duart e firmës kemi punuar deri në 16 orë dhe me një pagë minimale. Nuk duam të rikthehemi në të njëjtën gjendje"-kanë qenë disa nga deklaratat e punëtorëve gjatë kësaj proteste. Ata kanë deklaruar se do të vazhdojnë protestën deri në ndërgjegjësimin e strukturave përkatëse dhe të Këshillit Bashkiak. 65 punëtorët e Gjelbërimit rrezikojnë të mbeten të papunë pas zhvillimit të tenderit që do t'i japë të drejtë firmës fituese të administrimit të Gjelbërimit. Kreu i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, e ka cilësuar vendim të pastër politik kalimin e Gjelbërimit në administrim privat. "Në fund të vitit 2007 me forcën e kartonit të djathtët vendosën politikisht që ky shërbim të mos jetë më në varësi të pushtetit vendor. Gjatë 6 muajve administrim janë mbjellë aq shumë pemë sa nuk ishin mbjellë për vite të tëra",-theksoi kreu i bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›