Vlorë, pranga grupit të falsifikatorëve
Operacioni "Kapelja 08", arrestoi 4 falsifikatorë pasaportash e certifikatash. Mes tyre, një piktor, mësues dhe efektiv i zjarrfikëses
Policia: Kishim dijeni për aktivitetin dhe infiltruam persona që porositën dokumente kundrejt pagesës
Vlorë-Katër shtetas janë vënë në pranga për falsifikim pasaportash e dokumentesh të ndryshme. Operacioni nga ana e sektorit të krimit ekonomik, në drejtorinë e policisë së Vlorës është finalizuar në orët e vona të së martës, ku ndaj katër shtetasve është prerë dhe fletë arresti. Sipas burimeve zyrtare të policisë, katër personat, ndërmjet të cilëve një piktor, një mësues i edukimit fizik në një nga shkollat 9-vjeçare të qytetit dhe një punonjës i zjarrfikëses, në bashkëpunim me
njëri-tjetrin kryenin falsifikime të dokumentacioneve. "Eduard Hajdini; Sami Këmbaci; Banush Danaj dhe Ylli Karabolli janë arrestuar në kushtet e flagrancës",- bëjnë të ditur burimet policore.
Operacioni
Pasi kanë pasur informacionet për veprimtarinë e personave, agjentë të sektorit të krimit ekonomik, kanë vënë në dijeni prokurorinë e Vlorës dhe në bashkëpunim kanë krijuar situata stimuluese me persona të infiltruar. Këta të fundit kanë kërkuar përgatitjen e certifikatave personale si dhe një dokument italian, gjë për të cilën shtetasit në fjalë u janë përgjigjur me përgatitjen e tyre, duke u marrë vesh dhe për pazaret e afatet. Si bëjnë me dije burime nga ky sektor, vlera e një certifikate me gjeneralitete të kërkuara sipas porositësve, të cilat kishin dhe vulën e prefekturës, shkonte në 70 mijë lekë të vjetra. Vlera kjo më e vogël e një dokumenti që punohej prej shtetasve. Pasi kanë pasur në dorë provat e nevojshme filmike si dhe regjistrimet e bisedave për falsifikimet, në orët e vona të së martës është bërë dhe arrestimi i shtetasve, të cilët kishin shumë kohë që merreshin me këtë lloj tregtie.
Arrestimet
Sipas policisë, në pranga kanë rënë Ylli Karabolli, i vitlindjes '61, banues në qytetin e Vlorës në lagjen «Osman Haxhiu», me arsim të mesëm i pa dënuar më parë nga policia. Të përfshirë në tregtinë e falsifikimeve kanë qenë Eduard Hajdini, i vitlindjes '71, banues në të njëjtën lagje me punë mësues, në shkollën «Ismail Qemali». Sipas policisë, ai është ndjekur nga ana e policisë për akuzën e tendencës për falsifikimin e dokumenteve. Bashkëpunëtori i tretë i ndaluar është Sami Këmbaci, me profesion piktor, i vitlindjes '57, lindur në Kuçovë e banues në lagjen «Kushtrimi», të qytetit të Vlorës. Akuza edhe për këtë shtetas, sipas policisë është e njëjtë. I fundit i grupit është Banush Danaj, i vitlindjes '68 banues në lagjen «Osman Haxhiu», në Vlorë. "Ky shtetas është punonjës në forcat e policisë në sektorin e zjarrfikësve të Vlorës. Pas survejimit të policisë është klasifikuar si person me precedent kriminal për tendencën e falsifikimit të dokumenteve",-thanë burimet policore.
Akuza dhe sekuestrimet
Arrestimi i katër personave, sipas policisë, u bë për arsyen seata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin krijuar një grup falsifikatorësh, ku bënin të mundur falsifikimin e dokumenteve të ndryshme zyrtare. Gjatë kontrollit në banesat e tyre si dhe kontrolli i bërë personalisht në trupat e tyre u bë e mundur gjetja dhe më pas sekuestrimi në cilësinë e provës materiale një sërë dokumentesh të falsifikuara. "U bllokuan 6 pasaporta të kombësive të ndryshme, si kroate, greke, bullgare, austriake, spanjolle dhe
gjermane",- thanë burimet policore. Të njëjtat burime bëjnë me dije se janë kapur në cilësinë e provave materiale dhe 8 certifikata të qyteteve të ndryshme, si Korça, Vlora, Elbasani etj. Sipas të dhënave, 6 prej certifikatave ishin bosh dhe 2 të tjerat ishin të plotësuara me emër. "Është sekuestruar dhe një dokument italian Permeso Di Soggiorno, një dokument italian Kartë Identiteti pa fotografi si dhe një Patentë Italiane e pa plotësuar",- thonë burimet policore. Bashkë me to janë bllokuar dhe disa vula të shteteve të ndryshme si greke, italiane si dhe bojëra, tampone dhe gjëra të tjera që i nevojiteshin falsifikatorëve.
U bllokuan
1 pasaportë shqiptare me një vizë shengen gjermane me nr 24436203 në emër të shtetases N.Mehmeti
1 pasaportë Kroate
1 pasaportë Greke
1 pasaportëBullgare
1 pasaportë Gjeorgjiane
1 pasaportë Austriake
1 pasaportë Spanjës
1 pasaportë Gjermane