Mallra kontrabandë, pranga administratores në Elbasan
Arrestohet administratorja e firmës, tregtonte dhe ambalazhonte mallra kontrabandë
ELBASAN-Një operacion i efektivave blu të Komisariatit të Peqinit ka sjellë bllokimin e një sasie të konsiderueshme mallrash kontrabandë, të makinerive të ambalazhimit si dhe arrestimin e administratores së firmës. Lavdie Plaku, 36-vjeç me banim në komunën Pajovë të rrethit të Peqinit është shoqëruar në polici, pasi në magazinat që administronte u gjet një sasi e konsiderueshme mallrash kontrabandë, si dhe dy makineri që shërbenin për ambalazhimin e kundraligjshëm të artikujve ushqimorë. Në magazinat e shoqërisë tregtare "El diamantis", që 36-vjeçarja administronte me objekt veprimtarie import-eksport, tregti me shumicë dhe pakicë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi kafeje pa faturën tatimore, 2127 copë paketa cigaresh, si dhe pije alkoolike të llojeve të ndryshme, pa pullën fiskale. Policia sekuestroi dhe dy makineri që shërbenin për ambalazhimin e mallrave ushqimore, të artikujve oriz dhe niseshte. Procedimi penal ndaj 36-vjeçares si dhe bllokimi i sasisë së mallrave kontrabandë ka ardhur, pasi shoqëria nuk dispononte ndonjë dokument që shoqëronte mallrat si dhe përdorimin e makinerive për ambalazhimin e tyre. Hetimet nuk kanë përcaktuar ende prejardhjen e mallrave si dhe sasinë e ambalazhuar në magazina. Çështja në ngarkim i ka kaluar prokurorisë së rrethit. Gruaja akuzohet për tregtim të paligjshëm të mallrave të pashoqëruara nga dokumentacioni i prejardhjes si dhe falsifikim të etiketave.