“Banda e Cërrikut”, mungon mbrojtja, shtyhet seanca
TIRANË - Mungesa e mbrojtjes ligjore e të pandehurve të “Bandës së Cërrikut” u bë shkak për dështimin e seancës së radhës, e planifikuar për t’u zhvilluar dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Në gjykatë munguan disa nga avokatët mbrojtës të të pandehurve, të cilët akuzohen për vrasjen me armë zjarri të 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e disa efektivëve të policisë më 1997-n në Cërrik. Në këto kushte, trupi gjykues vendosi zhvillimin e procesit javën e ardhshme. Me cilësinë e të pandehurit në këtë proces janë marrë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda shtetasit: Llazar Bicja, Met Bozi, Arian Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi. Pjesa më e madhe e të akuzuarve u arrestuan vitin e kaluar, në një operacion të organizuar nga policia e shtetit dhe prokuroria.
Korrupsioni me pronat, akuza kërkon dënimin me burg për 6 të pandehur
TIRANË - Prokuroria e Tiranës paraqiti dje në Gjykatën e Shkallës së Parë konkluzionet e hetimit për gjashtë të pandehurit e operacionit “Furtuna”, tre prej të cilëve ish-punonjës në Hipotekë, të cilët akuzohen për afera korruptive me pronat. Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 10 vjet burg për të pandehurin Veiz Senko, dy vjet për Halil Himën, dy vjet burg për Dali Hakoren, 3.5 vjet për Artan Mehmetin, 2.5 vjet për Enton Babameton dhe tre vjet për Agron Tafën. Tre të fundit ishin punonjës të Hipotekës. Krahas kësaj, prokuroria kërkoi dënimin e të pandehurve edhe me gjoba që shkonin në disa milionë lekë. Gjashtë personat u arrestuan vitin e kaluar gjatë operacionit “Furtuna”, organizuar nga policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar disa tituj pronësie me qëllime përfitimi.
3 Dhjetor 2008