Pronat e Fazlliçit, Prokuroria pyet 2 kryetarë komunash dhe 2 noterë
Njëri prej noterëve dyshohet për falsifikim dokumentesh, pritet ndjekja penale. Marrja në pyetje ka lidhje me pronat shtetërore që u shitën në Porto Romano
Habjon Hasani
Tiranë - Dy kryetarë komunash pranë zonës së Porto Romanos janë marrë në pyetje lidhur me shitjen me çmime ekstra të ulëta të trojeve ndaj shtetasit Damir Fazlliç. Ish-kryetari i komunës dhe kryetari aktual dhanë shpjegimet e tyre për procedurën e shitjes, ndërsa prokuroria ka kaluar në filtër gjithë dokumentacionin zyrtar që realizoi shitjen. Mësohet se për këtë shitje procedura është dirigjuar nga këta kryetarë komunash, të cilët kanë pasur autoritetin për të kryer procesin, ndërsa janë regjistruar disa probleme lidhur me statusin e tokës, e cila ka qenë e regjistruar si tokë bujqësore, por pronë e pushtetit lokal. Por duket se dhe vetë procedura e shitjes, ndonëse e drejtuar nga pushteti lokal, ka pasur shumë probleme, sidomos në fazën e transferimit final të saj. Për këtë arsye në pyetje janë marrë dhe dy noterë, të cilët kanë “certifikuar” dokumentacionin. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se nga krahasimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit ka vend për të investiguar falsifikimin e disa akteve. Nisur nga ky fakt, prokurorët mund të kalojnë për ndjekje penale dhe njërin prej noterëve që ka marrë pjesë në procesin e certifikimit të dokumentacionit.
Prokuroria
Burime nga organi i akuzës kanë bërë të ditur se përveç kësaj piste janë kryer veprime hetimore edhe në lidhje me disa prona të tjera të Damir Fazlliçit. Burimet u treguan të rezervuara lidhur me rezultatin e hetimeve, ndërsa shtuan se gama e hetimit të firmave është shumë e gjerë, pasi aktiviteti i Fazlliçit varionte nga blerja problematike e terreneve energjetike, deri te transaksionet antiligjore të kryera nga firmat qipriote drejt Shqipërisë nëpërmjet bankave zvicerane. Gjithsesi, lidhur me pronën shtetërore dhe publike që Fazlliçi ka mundur të përfitojë, prokurorët shprehen se është më i thjeshtë hetimi, pasi procedura është kryer dhe është arkivuar në institucionet përkatëse shtetërore, e për rrjedhojë, gjetja dhe ekspertimi i tyre është më e thjeshtë.
Trojet
Dy javë më parë Prokuroria bëri të ditur se nga dokumentacioni që ajo kishte mbledhur rezultonte se Damir Fazlliçi ka blerë në qytetin e Durrësit, ku do të ndërtohet parku energjetik, tokë shtetërore. Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorëzim dokumentacionet e ardhura nga Hipoteka e Durrësit, ku rezulton se Fazlliçi, krahas blerjes së tokës nga banorët e zonës, ka marrë me çmime qesharake edhe tokën shtetërore, ende të pandarë. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Akuzës qendrore, sipas së cilës, në kuadër të hetimeve për pastrim parash, të hetuarit i janë bllokuar rreth 12 hektarë në vendin ku do të ndërtohet një vepër energjetike. Hetuesit e Prokurorisë deklarojnë se kanë në shqyrtim materialin e ardhur nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit, ku rezulton se biznesmeni i huaj është një superpronar, madje zotëron 12 hektarë tokë. Krahas blerjes nga banorët, Fazlliçi rezulton se ka blerë tokë edhe nga shteti. Për çmimin e blerjes burimet pohojnë se është tepër më i lirë se çmimet e tregut, por hetuesit nuk preferojnë të japin detaje në shifra, pasi çështja është në hetim.
Fazlliç, Prokuroria ka faktuar pastrimin e parave
Prokuroria shqiptare ka mundur të vërtetojë evazionin fiskal dhe operacionin bankar të pastrimit të parave të kryer nga Damir Fazlliç, ndërsa priten dhe letër-porositë nga Qiproja për të detajuar të dhënat lidhur me firmën “Croun Acquisitions”. Kjo firmë është formuar më datë 20 shtator 2005, me vendim të Gjykatës së Tiranës. Ditën e regjistrimit të firmës administrator i vetëm i kompanisë është caktuar Erion Isufi, shtetas shqiptar, i lindur në Tiranë më 21 mars 1978, banues në rrugën “Shinasi Dishnica”. Erion Isufi është kunati i ministrit shqiptar Lulzim Basha. Më 20 qershor 2007, dy javë pas shkarkimit të administratorit Erion Isufi, ortaku i vetëm i kompanisë, Damir Fazlliç, vendosi shitjen e 100 për qind të aksioneve të kësaj kompanie. Kontrata e shitjes ishte në vlerën 1 milion e 700 mijë euro. Kompania blerëse e firmës “Croun Acquisitions sh.p.k” është firma “Altaria Research Limited”, me seli në adresën: Irakli 2, Egkomi, p.c. 2413, Nikosia, Qipro, e cila gjithë praktikën e blerjes ia ka besuar me prokurë të posaçme avokates shqiptare Flutura Kola (Tafaj). Zonja Kola, së bashku me juristen tjetër, zonja Argita Malltezi, punojnë në të njëjtën studio ligjore. Ndonëse u nënshkrua kontrata e shitjes, sot rezulton se kompania “Croun Acquisitions” është ende në pronësi të Damir Fazlliçit dhe nuk ka paguar tatimin mbi fitimin e shitjes, që minimalisht është 170 mijë euro.
Fazlliçi, i dyshuar për trafik influence dhe tenderimet energjetike
Damir Fazlliç ka deklaruar se firma qipriote “Altaria Research Limited”, që bleu në mënyrë antiligjore kompaninë ”Croun Acquisitions”, është e tija, por ende në Tiranë nuk është ndërruar emri i kompanisë nga “Croun Acquisitions” në “Altaria Research Limited”. Firma qipriote “Altaria Research Limited” ka themeluar në nëntor 2007 në Zagreb kompaninë “Rudnap Energija d.o.o”, pjesë e grupit “Rudnap”. Nga të dhënat zyrtare rezulton se grupi “Rudnap” ka përfituar rreth 33 milionë euro nga taksat e shqiptarëve si pasojë e energjisë që i ka shitur KESH-it me prokurim të drejtpërdrejtë. Sakaq, Fazlliçi duket se ka blerë toka në Porto Romano nëpërmjet firmës “Croun Acquisitions” fare pak kohë para se miku i tij, kryeministri Berisha, ta shpallte këtë tokë si “zonë energjetike” duke ia rritur vlerën në disafish këtyre trojeve. Një pjesë e trojeve në Porto Romano, Fazlliçi i ka blerë nëpërmjet ortakërisë me “Rompetrol Albania”. Sikurse u publikua ekskluzivisht në “Albania” dokumentet tregonin se në datën 20 mars të vitit 2007, në Florida të Shteteve të Bashkuara, Damir Fazlliç, pronar i “Kelena ltd” dhe Eduard Roxhers, i cili rezulton të jetë pikërisht pronar i firmës “Barbour Griffith & Rogers” (BG&R), kanë nënshkruar së bashku për të marrë pjesë me 40 për qind në firmën “Rompetrol Albania” në Porto Romano. Firma “Barbour Griffith & Rogers” ka mbështetur dhe asistuar në vitin 2005 Partinë Demokratike që kjo të fitonte pushtetin.
3 Dhjetor 2008