E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ministri Shamata: “Për dosjen e Remzi Hoxhës kam pasur vetëm dy shkresa”

Gjatë seancës dha dëshminë e tij edhe shoferi i Arben Sefgjinit. Prokurori i çështjes lexoi dëshminë e Gazidedes të dhënë kohë më parë

Laureta Rryçi

Tiranë - Është zhvilluar dje seanca gjyqësore në ngarkim të tre
ish-SHIK-asve për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe rrëmbimin e Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopullit. Prokurori i çështjes Xhevat Hana ka lexuar dëshminë e dhënë nga ish-drejtori i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, para vdekjes. Në këtë deklaratë, Gazidede ka rrëfyer kërkesat e shumta të familjarëve të Remzi Hoxhës për ta takuar atë dhe më pas akuzat publike si përgjegjës për zhdukjen e vëllait të tyre. Gazidede, pasi ka shpjeguar mënyrën se si funksiononte SHIK-u në atë kohë (në vitin 1995, kur ndodhi ngjarja), ka deklaruar se nuk kishte dijeni për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha.
Gazidede
Sipas Gazidedes, kanë qenë vëllezërit e Remzi Hoxhës që i kanë kërkuar takim, por ai nuk ka pranuar pasi ata e kanë bërë përgjegjës për zhdukjen e biznesmenit. “Ata më thanë se muret e SHIK-ut janë të përlyera me gjakun e vëllait të tyre dhe unë iu përgjigja që këto fakte t’i bënin prezent në Prokurori”. Kështu shkruhet në dëshminë e Gazidedes të lexuar nga prokurori Hana, pasi Gazidede ndërroi jetë dy muaj më parë nga një sëmundje e pashërueshme. Dëshmia e tij duket se nuk do ta ndihmojë zbardhjen e çështjes në ngarkim të tre ish-SHIK-asve, pasi nuk sjell asgjë të re mbi ngjarjen.
Seanca
Por dëshmia e tij nuk ka qenë e vetmja. Dje foli para gjykatësve edhe ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, Halit Shamata, që aktualisht mban postin e zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës. Shamata ka mohuar të ketë pasur dijeni për këtë çështje dhe pyetjes së prokurorit se pse nuk i është përgjigjur kërkesës së Prokurorisë dhe Presidencës kur është pyetur në atë kohë për zhdukjen e tyre, Shamata iu përgjigj: “Gjithçka që kam bërë në postin e ministrit është e dokumentuar me shkresa zyrtare, unë nuk mbaj mend detaje”. Po dje ka dhënë dëshminë e tij para trupit gjykues edhe ish-shoferi i SHIK-ut të Tiranës në vitet ‘94-‘97, Shpëtim Pasholli. Ky i fundit ka qenë shofer i Arben Sefgjinit. Në dëshminë e tij, ai u shpreh: “Kam marrë një person me makinë te një punishte afër Dispanserisë në Tiranë dhe e kam çuar te Kthesa e Kamzës, aty e ka marrë një makinë tjetër”. Pasholli ka mohuar të ketë dijeni për personin që kishte si pasagjer dhe për destinacionin e tij. Dëshminë e tij e kundërshtoi prokurori Hana, i cili tha se Remzi Hoxha është marrë me dhunë nga vendi i tij i punës dhe madje i janë vënë syze të errëta gjatë rrugës. Fakte këto që shoferi nuk i pranoi në sallën e gjyqit. Në bankën e të akuzuarve gjenden Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe (ky i fundit nuk gjykohet më pasi është në gjendje të rëndë shëndetësore). Të pandehurit akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Abdyl Loshajt. Ngjarja ka ndodhur në muajt shtator-tetor 1995.

3 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›