Siguria për rrugët, parashikohet investimi i 37.9 milionë lekëve
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit parashikon investime në rritje të sigurisë rrugore gjatë vitit 2009. Në buxhetin e shtetit të vitit 2009 janë parashikuar rreth 37.908.000 lekë për sigurinë rrugore. Gjatë këtij viti parashikohet të ndërhyhet për përmirësimin e sigurisë rrugore dhe vendosjen e sinjalistikës dhe barrierave metalike në disa akse rrugore. Sipas specialistëve të transportit rrugor pranë kësaj ministrie, do të ndërhyhet në akset Tiranë-Parku i Dajtit dhe Korçë-Ersekë-Çarshovë, Berat- Çorovodë, Bajram Curri-Sopot-Qafë Morinë etj.
Përfundon puna për zhvendosjen e rrjetit elektrik në segmentin “Morinë-Dukagjin”
Zhvendosja e rrjetit elektrik në segmentin e autostradës “Morinë-Kukës-Fushë Dukagjin”, një proces i nisur dy vjet më parë, është drejt përfundimit. Sipas specialistëve, pozitiv është fakti se zhvendosja e rrjetit elektrik ka bërë të mundur shtrirjen nëntokësore të rrjetit elektrik, gjë që mundëson edhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve dhe minimizimin e defekteve, veçanërisht në periudhën e dimrit. Procesi i lëvizjes së rrjetit elektrik nga traseja e autostradës ka nisur prej 2 vjetësh, por është zvarritur prej vështirësive teknike. Përgjatë segmentit, deri tani janë lëvizur 3 shtyllat e tensionit të lartë si dhe 8 shtylla të tensionit të mesëm e të ulët.
3 Dhjetor 2008