E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guvernatori Fullani: “Ekonomia reale në Shqipëri mbetet e rrezikuar”



“Sistemi bankar në Shqipëri nuk rezulton të jetë prekur nga turbullira ndërkombëtare, por rreziqet për të ardhmen më së shumti qëndrojnë mbi aktivitetin e ekonomisë reale”, - ka deklaruar guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në seminarin e pestë euro-mesdhetar të rangut të lartë, i cili këto ditë i zhvilloi punimet në Aleksandri të Egjipt. Duke qëndruar në të njëjtën linjë me daljet e tij të kohëve të fundit në publik, guvernatori Fullani tha se “është e domosdoshme të rritet më tej përdorimi i kredisë bankare nga ana e sektorit privat, pasi vetëm kështu do të mundësohet rritja e prodhimit dhe integrimi i mëtejshëm i vendeve të Mesdheut me ekonominë globale”. Guvernatori i BSH-së, Fullani, i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit ekonomiko-financiare në vend, duke u ndalur në veçanti në situatën e sistemit bankar në Shqipëri. Këtë vit seminari u përqendrua në zhvillimet ekonomike dhe financiare të kohëve të fundit, që po karakterizojnë ekonomitë e Zonës së Mesdheut, në strategjitë e politikave monetare dhe përshtatshmërinë e kurseve të këmbimit, si dhe në tendencat e fundit të sektorit bankar, me një vëmendje të veçantë mbi ndërlikimet që vijnë nga kriza globale financiare. BSH-ja mori pjesë për herë të parë në këtë aktivitet, ndërkohë që të gjithë të pranishmit mirëpritën propozimin e bërë nga organizatorët për përfshirjen e vendit tonë në takimet e ardhshme të këtij forumi, me të drejta të plota. Në këtë takim morën pjesë drejtues të lartë të bankave të Eurosistemit, përfshirë Jean-Claude Trichet, president i BQE-së, Lorenzo Bini Smaghi, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së si dhe guvernatorë. Gjithashtu gjendeshin përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Austrisë, Belgjikës, Qipros, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Italisë, Luksemburgut, Maltës, Holandës, Portugalisë, Sllovenisë, Spanjës, Algjerisë, Egjiptit, Izraelit, Libisë, Libanit, Mauritanisë, Marokut, Autoritetit Kombëtar të Palestinës, Sirisë, Shqipërisë dhe Turqisë.

3 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›