Maqedonia dhe Serbia intensifikojnë bashkëpunimin parlamentar
“Maqedonia dhe Serbia kanë bashkëpunim të afërt ekonomik dhe qëllim të përbashkët integrimin në Bashkimin Europian”, - kështu është shprehur dje kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, në takimin me homologen serbe, Sllavica Gjukiç Dejanoviç. Gjatë këtij takimi, Veljanovski theksoi se Maqedonia dhe Serbia duhet të fitojnë liberalizimin e vizave brenda këtij viti. “Për këtë, ne nga institucionet europiane morëm rekomandim, ndërsa në fund të këtij viti presim edhe datën për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian. Shpresoj se edhe Republika e Serbisë do t’i përfundojë të gjitha negociatat për anëtarësim më të shpejtë në Union, për shkak se ne në mënyrë territoriale i përkasim Europës. Duhet që edhe formalisht të integrohemi për të shfrytëzuar mundësitë e BE-së lidhur me ekonominë”, - theksoi Veljanovski. Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Sllavica Gjukiç–Dejanoviç, duke falënderuar Veljanoskin për pranimin e ftesës, ritheksoi bashkëpunimin parlamentar midis dy vendeve.
Haga ul me 7 vjet dënimin ndaj Krajishnik
Gjykata e Hagës ka dënuar me 20 vjet burg ish-kryetarin e Parlamentit serb të Bosnjes, Momcilo Krajishnik. Lajmin e bënë të ditur mediat ballkanase, sipas të cilave vendimi në fjalë është 7 vjet më i ulët se ai që iu dha në 2006-n. Krajishnik u dënua për organizimin e fushatave të spastrimit etnik në vitet 1992-1995 në Bosnjë kundër popullsisë myslimane dhe kroate. Ai vuante dënimin prej 27 vjetësh burgim dhe më herët u tha se për uljen e dënimit të tij mund të merrej parasysh dëshmia e të akuzuarit tjetër për krime të luftës, Radovan Karaxhiç, i cili në nëntor të vitit të kaluar i tha Gjykatës se Krajishnik nuk ka luajtur rol në vendimet e udhëheqjes serbe të Bosnjës gjatë luftës.
18 Mars 2009