Bugajski: “UNMIK-u të largohet përfundimisht nga Kosova”
Tashmë roli i UNMIK-ut nuk është i rëndësishëm në Kosovë dhe misioni duhet të largohet përfundimisht nga ky vend. Kështu është shprehur drejtori i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Janush Bugajski. Sipas tij, EULEX-i duhet të marrë përgjegjësitë sipas planit “Ahtisari”. “Në Kosovë duhet të ketë shtet të decentralizuar, ndërsa institucionet qendrore duhet të kontrollojnë të gjithë territorin”,- tha Bugajski, duke mbështetur mendimin se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë trysni ndaj Beogradit për të pranuar realitetin e ri në Kosovë. Ndërkohë, ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç, e ka konsideruar si të papranueshme idenë e ndërprerjes së misionit të UNMIK-ut nga Kosova. “Këshilli i Sigurimit nuk do të lejojë që të hiqet misioni i UNMIK-ut, sepse ai është misioni i vetëm legjitim krahas EULEX-it dhe KFOR-it, i cili duhet të kujdeset për të gjithë qytetarët në Kosovë”, - theksoi Bogdanoviç. Deklarata për kërkesën e ndërprerjes së misionit të UNMIK-ut u bë edhe nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili theksoi se ky mision nuk ka më kompetenca që prej mbërritjes së EULEX-it në Kosovë.
18 Mars 2009