E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama mbledh vendorët: Berisha po sillet si Enveri me pushtetin lokal



Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim me kryetarët e bashkive dhe komunave të vendit, të cilët janë përfaqësues të Partisë Socialiste. Qëllimi i këtij takimi ka qenë diskutimi në lidhje me disa vendime të marra nga ana e qeverisë, të cilat cenojnë rëndë autonominë e pushtetit lokal. Një prej këtyre vendimeve është edhe ulja e taksës së informalitetit, vendim i cili redukton në nivel 50% buxhetet e bashkive dhe komunave të vendit. Për këtë arsye, kryebashkiakët socialistë zhvilluan dy ditë më parë një takim me ambasadorin e OSBE-së, Robert Bosh dhe me ambasadorin e KE-së, Helmut Lohan, për të paraqitur shqetësimet e tyre në lidhje me këtë problem. Ndërsa gjatë paradites së djeshme, drejtuesit e pushtetit vendor janë takuar me kreun e PS-së, Edi Rama. Ky i fundit ka deklaruar se qeveria dhe maxhoranca, me shkeljet e vazhdueshme që po bëjnë, po dëmtojnë rëndë autonominë lokale, duke shkelur hapur Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën e Autonomisë Lokale si dhe ligjin për pushtetin lokal. Madje, kreu i PS-së ka deklaruar se qeveria po sillet me pushtetin lokal njësoj sikur të ishte qeveria e Enver Hoxhës. “Si ka mundësi që në mes të Europës, në shekullin e 21-të, kur po mbaron 10-vjeçari i parë, qeveria qendrore të bëjë veprime që e bëjnë atë të ngjashme si dy pika uji me qeverinë e Enver Hoxhës, duke trajtuar bashkitë e komunat e vendit e të zgjedhurit e popullit si vartës dhe madje duke ua kufizuar përgjegjësitë e tyre shumë më zi se në kohën e vetë Enver Hoxhës?!” - u shpreh Rama.

Autonomia

Kreu i PS-së dhe i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, tha se takimi me drejtuesit e pushteti vendor është një domosdoshmëri përballë presioneve që po ndërmerr qeveria, e cila, me vendimet e saj antikushtetuese, ka dëmtuar rëndë Autonominë e Pushtetit Vendor. “Ky takim është një domosdoshmëri përballë një realiteti përditë e më dramatik të pushtetit vendor, të njësive të qeverisjes vendore, të bashkive dhe komunave, për shkak të përshkallëzimit të një politike antidemokratike që shkel vijimësisht Kushtetutën, Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, shkel vijimësisht liritë e të drejtat që burojnë nga ligji, për të gjithë përfaqësuesit legjitimë të popullit në bashkitë dhe komunat e vendit. Tashmë është koha për të reaguar me forcë, është koha për të refuzuar këtë politikë refraktare ndaj standardeve europiane të Autonomisë Vendore, këtë politikë regresive, në raport me vetë procesin e reformës së decentralizimit, të ndërmarrë që prej vitit 2000 në Shqipëri, këtë politikë që ashtu si dhe në të gjithë tërësinë e saj, edhe në raport me pushtetin vendor është shprehje e një mendësie me të cilën Shqipëria duhet të ndahet, me të cilën populli shqiptar duhet të ndahet, me të cilën qytetaria e këtij vendi duhet të ndahet”, - tha Rama.
Ankesa
Kreu i PS-së, Edi Rama, inkurajoi të zgjedhurit e pushtetit vendor që të rezistojnë ndaj vendimeve të qeverisë. Ai tha se këto vendime do të ankimohen në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që theksoi se do të bëhet një ankesë edhe në Kongresin e Autoriteteve Lokale Rajonale. “Ne do të vazhdojmë të ndjekim rrugën që kemi ndjekur deri sot, duke i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë këto masa flagrante antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore, antiqytetare të Sali Berishës. Kemi fituar vijimësisht çështjet tona në Gjykatën Kushtetuese, kemi në proces disa çështje të tjera, por ndërkohë kanë humbur qytetarët, kanë humbur komunitetet, kanë humbur bashkitë dhe komunat kohë të çmuar, sepse ndërkohë që afatet e gjykimit janë përgjithësisht të zgjatura, punët tona mbeten pezull dhe shumëçka që ne mund ta ofrojmë për qytetarët mbetet pezull. Unë jam këtu për t’u thënë të gjithëve se jo vetëm nuk jemi vetëm, por sot përfaqësojmë, përveçse partinë më të madhe në Shqipëri, edhe shumicën e popullit shqiptar, përveçse komuniteteve tona që na kanë zgjedhur dhe na kanë dhënë besimin më të plotë më 28 qershor, edhe të gjitha komunitetet e Shqipërisë, përfaqësojmë këtu edhe interesat e komuniteteve që drejtohen nga demokratët, të cilët nuk kanë kurajë të nxjerrin një fije zëri për këto shkelje flagrante dhe të turpshme të autonomisë vendore, të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore në mes të Europës. Ne do të ngremë zërin tonë kudo në Europë, në KE, në Kongresin e Autoriteteve Lokale Rajonale, ne do ta ngremë zërin tonë në çdo skaj të Shqipërisë, sepse kjo histori e pafund duhet të marrë fund, dhe ne jemi të vendosur t’i japim asaj fund me çdo çmim, përmes të gjitha mjeteve që kemi në dorë dhe që demokracia ua jep në dorë atyre që luftojnë për të”, - deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.

Kryebashkiakët socialistë u ankuan te ndërkombëtarët

Kryetarët e bashkive kryesore të vendit, përfaqësues të Partisë Socialiste, përshkallëzuan veprimet e tyre kundërshtuese ndaj iniciativës më të fundit të qeverisë për reduktimin e të ardhurave të pushtetit vendor. Ashtu siç paralajmëruan, kryebashkiakët socialistë janë ankuar pranë përfaqësisë së Komisionit Europian dhe OSBE-së në Tiranë. Ata kanë vizituar dy ditë më parë selitë e këtyre dy institucioneve ndërkombëtare për t’u takuar me ambasadorët Helmut Lohan dhe Robert Bosh, të cilëve u kanë bërë prezente shqetësimet e tyre në lidhje me vendimin e marrë nga ana e qeverisë. Sipas të zgjedhurve vendorë, vendimi i qeverisë për reduktimin e të ardhurave të pushtetit lokal është një shkelje e hapur e autonomisë. Në përfundim të këtyre takimeve është vendosur që të ketë një takim të dytë midis drejtuesve të pushtetit vendor dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, për të diskutuar dhe për të zgjidhur shqetësimin e shprehur prej tyre. Pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesit ndërkombëtarë, në emër të kryebashkiakëve, Artan Shkëmbi, kreu i Bashkisë së Pogradecit, dha një prononcim për mediat, ku bëri publik qëllimin e këtij takimi dhe shqetësimet e shprehura nga drejtuesit e pushtetit vendor. Ai pohoi se ambasadorët Lohan dhe Bosh kishin shprehur angazhimin e tyre për ta zgjidhur këtë çështje, dhe për këtë arsye ishte vendosur dhe zhvillimi i një takimi të dytë. “Paraqitëm raste konkrete, ku buxhetet e bashkive cenohen duke arritur në vlera deri në 50% të reduktimit të buxhetit, duke filluar që nga viti i ardhshëm. Vendosëm që të kemi një takim të dytë për të diskutuar çështjen, por me siguri besojmë se do të ketë një diskutim me qeverinë për këtë gjë, dhe më pas, në takimin e dytë, do të ketë diskutime të mëtejshme”, - tha Shkëmbi.

9 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›