Meta: “Opozita po provokon tensionimin e situatës politike në vend”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta, e ka cilësuar qëndrimin e opozitës për të protestuar për zgjedhjet e 28 qershorit si një përpjekje për të tensionuar situatën politike në vend. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij austriak, Spindelegger, Meta tha se klima politike në vend është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin politik, që përbën kusht për procesin integrues të vendit. Meta i bëri thirrje Partisë Socialiste që kërkesat e saj t’i paraqesë në Kuvend sepse qeveria është e gatshme dhe ka të gjithë vullnetin politik për t’i shqyrtuar ato, me qëllim që të jenë të përputhje me Kushtetutën e vendit. Ministri i Jashtëm, gjatë komentit të tij, e cilësoi nismën e PS-së për të demonstruar si përpjekje për të tensionuar klimën politike në vend.
Qëndrimi
“Klima politike është shumë e rëndësishme që të jetë konstruktive. Ju e dini që qeveria dhe maxhoranca e re janë sjellë në mënyrë tepër konstruktive me opozitën. Çdo gjë që varet nga vullneti i qeverisë dhe maxhorancës, pa asnjë diskutim që nuk do të mungojë në drejtim të adresimit të pretendimeve të ngritura nga ana e kryetarit të Partisë Socialiste. Ndaj, edhe opozita është shumë e mirëpritur në Parlament, ku ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në drejtim të procesit të integrimit europian dhe ashtu siç ju e dini, vendi i kryetarit të këtij komisioni në Kuvend i takon opozitës. Por edhe për të realizuar të gjitha kërkesat e saj, të cilat nuk cenojnë sistemin kushtetues në vend dhe pavarësinë e Drejtësisë”, - është shprehur zëvendëskryeministri. “Mendoj se fakti që do të ketë protesta apo demonstrime, nuk është një tregues i mungesës së demokracisë në Shqipëri, përkundrazi. Por, pa asnjë diskutim, rruga më e drejtë si për opozitën, ashtu dhe për vendin dhe për institucionet, është rruga e ngritjes së problemeve dhe ajo e përpjekjeve për t’i zgjidhur ato në Parlament dhe brenda këtij institucioni. Ju e keni vënë re që klima tentohet në mënyrë të njëanshme të provokohet për t’u tensionuar. Por ju e keni vënë re që qëndrimi i qeverisë është shumë konstruktiv, shumë mirëpritës, në mënyrë që opozita të luajë rolin e saj”, - është shprehur Meta, i cili shtoi se kundër rrugës së bojkotit janë dhe shumë eksponentë dhe përfaqësues të PS-së. “Unë do t’i ftoja që kërkesat e tyre t’i paraqesin në Parlament dhe të jenë të sigurt se nga ana e qeverisë ekziston vullneti më pozitiv, e theksoj, pa cenuar sistemin kushtetues dhe pavarësinë e Drejtësisë për të shqyrtuar dhe për të zgjidhur pretendimet e tyre”, - ka përsëritur ministri i Jashtëm. I pyetur për qëndrimin e opozitës, ministri i Jashtëm i Austrisë, Spindelegger, tha se KE-ja është e interesuar për të ardhmen e Shqipërisë. “Nuk është detyra ime që t’i jap këshilla opozitës në Shqipëri për të shkuar në Parlament. Por, natyrisht që komuniteti europian dhe Komisioni Europian kërkojnë që të ketë një qartësi në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë dhe rrugën që do të ndjekë ajo. Dhe natyrisht që në këto çështje kaq thelbësore duhet të jetë një mendim i vetëm që t’i komunikohet publikut të gjerë”, - është shprehur Spindelegger.
Vizat
Gjatë takimit të djeshëm me homologun austriak, Meta ka marrë mbështetjen e tij për integrimin e Shqipërisë në BE. Por, ministri i Jashtëm i Austrisë ka shprehur bindjen se Shqipëria duhet më parë të plotësojë standardet që të përfitojë nga liberalizimi i vizave. Ai tha se Shqipëria nuk do të bëjë pjesë në grupin e shteteve, të cilave u hiqet regjimi i vizave në muajin janar të vitit të ardhshëm. “Mendoj se nuk do të ishte realiste që të pritej ky liberalizim vizash për Shqipërinë më 1 janar 2010. Por, ky është një proces që monitorohet shumë ngushtë nga komuniteti europian dhe sa më shpejt të ecë Shqipëria në standardet që duhet të përmbushë, aq më shpejt do të përfundojë edhe ky proces. Përsa i përket pyetjes suaj për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Shqipëria duhet të trajtohet si çdo vend tjetër që ka paraqitur kandidaturën. Kjo do të thotë që Komisioni Europian do të marrë në shqyrtim kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim dhe të japë mendimin e tij përkatës. Kusht paraprak për këtë është që të ketë stabilitet me konsensus politik në vendin tuaj”, - është shprehur ministri i Jashtëm i Austrisë.
9 Tetor 2009