Draft-raporti i BE-së: “Progres jo i njëtrajtshëm i Shqipërisë; problem, korrupsioni dhe krimi”
Edhe progres-raporti që pritet të publikohet më 14 tetor duket se nuk jep shenja pozitive në ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Pas zërave për shtyrjen e kërkesës për statusin e vendit kandidat në axhendën e takimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian, një sinjal tjetër që shkon në këtë linjë është edhe informacioni që ka të bëjë me dokumentin e përgatitur nga Brukseli zyrtar, që vlerëson standardet e arritura. Agjencia e lajmeve “Reuters” ka siguruar draftin që do të publikohet pas disa ditësh, ku Shqipëria, si edhe vendet e tjera të rajonit, vlerësohet për një progres jo të njëtrajtshëm. Ajo thotë se vetëm Kroacia ka shanse që t’i bashkohet bllokut të BE-së brenda vitit 2010. Dokumenti thekson se vendet që duan të jenë anëtare të Bashkimit Europian duhet të ndëshkojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe Brukseli duhet t’ua bëjë të qartë se do të duhen edhe shumë vite që të bëhen anëtarë të BE-së.
“Shtetet e tjera kandidate, - Serbia, Shqipëria, Maqedonia, Bosnja, Mali i Zi dhe Kosova, kanë bërë një progres jo të njëtrajtshëm, ndonëse Serbia ka aftësitë më të mira administrative për të çuar përpara reformat”, - thotë raporti i cituar nga “Reuters”. Sipas tij, “korrupsioni është i përhapur në të gjithë rajonin. Ai prek jetën e përditshme të qytetarëve dhe klimën e biznesit”, - thotë drafti i progres-raportit të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Po dje u dhanë informacione për shtyrjen sërish të shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat nga diplomatët e Bashkimit Europian. Megjithëse Presidenca Suedeze e kishte përfshirë në axhendën e diskutimeve të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare, shqyrtimi i aplikimit është hequr nga axhenda për shkak se Gjermania ka kërkuar më shumë kohë. Sipas burimeve konfidenciale, duke iu referuar një ligji të ri të imponuar nga Gjykata Kushtetuese si kusht për ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, diplomatët gjermanë kanë shpjeguar në takim se ende nuk janë të qartë nëse duhet respektuar “Bundestagu” përpara se të shprehet qëndrimi për aplikimin e Shqipërisë. Në një rast të tillë, shqyrtimi i kandidaturës do të shtyhej për më shumë se një muaj, pasi mbledhja e parë e Dhomës së Ulët të Parlamentit gjerman është në fund të tetorit. Shqipëria aplikoi për statusin kandidat 6 muaj më parë, në periudhën e presidencës çeke të BE-së dhe Komisioni pret dritën e gjelbër nga Këshilli i Ministrave për të nisur përpilimin e opinionit mbi gatishmërinë e vendit për të marrë statusin kandidat. Në këtë fazë të procesit, dhënia e mandatit ndaj Komisionit nuk kërkon diskutime në nivel të lartë përfaqësimi të vendeve anëtare. Me t'u miratuar në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm, Këshilli i parë i Ministrave europianë, që do të mbahet pas këtij takimi, do të komunikojë dhënien e pëlqimit mbi kandidaturën, pa diskutime të mëtejshme, në mënyrë që Komisioni të nisë procesin teknik me dërgimin e pyetësorit qindra faqesh ndaj autoriteteve shqiptare.
9 Tetor 2009