Shqipëria dhe Turqia zgjerojnë bashkëpunimin ushtarak
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, me ftesë të homologut të tij turk Vecdi Gõnũl, zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në datat 9 dhe 10 mars 2009 në Republikën e Turqisë. Imami u prit me ceremoni protokollare nga homologu i tij turk Gõnũl. Ministri Imami falënderoi homologun e tij turk për të gjithë mbështetjen që Turqia i ka dhënë Shqipërisë, veçanërisht për anëtarësimin e saj në NATO dhe ndihmën e dhënë nga shteti turk për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si për modernizimin me mjete dhe pajisje, ashtu edhe për rritjen e nivelit arsimor të ushtarakëve shqiptarë. Ai ka theksuar se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe do të vazhdojnë të thellohen më tej në të ardhmen. Imami tha se në bashkëpunim me Forcat e Armatosura të Turqisë, përveç programeve aktuale në fushën e arsimimit, ka dhe disa programe të tjera për modernizimin e infrastrukturës së FA shqiptare. Ministri Imami u shpreh se Shqipëria mbështet fuqimisht anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Europian. “Në konceptin tonë politik, Bashkimi Europian pa Turqinë është i paplotë”, - ka nënvizuar ai.
Ministri turk i Mbrojtjes Gõnũl vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve tona, duke theksuar se ato janë në nivele të shkëlqyera dhe shprehu sigurinë se këto marrëdhënie do të forcohen më shumë në të ardhmen. Gjithashtu ai theksoi se bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve do të rritet edhe më shumë. Ministri Imami bëri një vizitë në Mauzoleumin e Mustafa Qemal Ataturkut, ku vendosi një kurorë me lule. Imami u njoh në këtë muze me historikun e rezistencës turke, ruajtjen e pavarësisë së shtetit turk dhe reformat madhore të Mustafa Kemal Ataturkut. Ai zhvilloi një vizitë edhe në Shkollën e Lartë të Këmbësorisë në Ankara, ku u prit nga komandanti i kësaj shkolle, gjeneral major Kenan Hysen Oglu. Ministri ynë i Mbrojtjes u takua edhe me shtatë studentët shqiptarë që studiojnë në këtë shkollë. Gjeneral Hysen Oglu e informoi ministrin Imami për studentët shqiptarë, duke theksuar se ata kanë treguar dhe tregojnë një paraqitje shumë të mirë. Në këtë shkollë janë diplomuar përgjatë këtyre viteve me dhjetëra studentë shqiptarë.
12 Mars 2010