E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodheli: “Arka e shtetit është bosh, rritja e pagave dhe pensioneve, e pamundur”



Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, reagoi dje ndaj deklaratës së kryeministrit Sali Berisha, duke bërë me dije se rritja e pagave dhe pensioneve me 10% nuk mund të realizohet pasi arka e shtetit është bosh. Sipas saj, rritja modeste e pagave dhe pensioneve herën e fundit nga qeveria u zerua nga rritja skandaloze e çmimit të energjisë, nga rritja e papërballueshme e çmimit të ushqimeve, nga shtrenjtimi i shërbimit shëndetësor etj. “Ne nuk presim që Sali Berisha t’u shpjegojë shqiptarëve se nga do të vijnë paratë për këtë rritje rrogash në një kohë që arka e shtetit është bosh dhe situata ekonomike financiare e Shqipërisë të zhytur në borxhe sa vjen e po rëndohet. Ne nuk presim që Sali Berisha t’u tregojë shqiptarëve se edhe kjo rritje rrogash e pensionesh, nëse ajo do të bëhet ndonjëherë, nuk ka për të qenë e mjaftueshme për të mbuluar rritjen e inflacionit dhe rritjen galopante të çmimeve. Dhe aq më pak presim që Sali Berisha t’u tregojë shqiptarëve se fajin për këtë derexhe ku është katandisur ekonomia e ka pikërisht qeveria e Sali Berishës, paaftësia dhe abuzimet me ekonominë për qëllime elektorale”, - u shpreh Kodheli. Sipas saj, kryeministri i Ruzhdies deklaroi se rritja e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë për sa kohë shqiptarët i japin atij votën, por Sali Berisha me një dorë të jep dhe me të dyja duart të merr. “Rritja e pagave dhe pensioneve me 10% jo vetëm që është thuajse e pamundur të realizohet pa dëmtuar edhe më tej ekuilibrat, tashmë të cenuar rëndë, makroekonomikë të vendit, por ajo është edhe e pamjaftueshme për të përballuar nevojat minimale të familjeve shqiptare në këtë situatë të shtrenjtimit të gjithanshëm të jetesës për të cilën i detyrohemi zotit Berisha. Sali Berisha u tha shqiptarëve se për sa kohë do t’i japin votën, ai do t’i pasurojë ata, por varfëria e shqiptarëve dhe kutia e Ruzhdies dëshmojnë se shqiptarët Sali Berishës nuk ia kanë dhënë votën”, - tha Kodheli.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›