Meta-Tadiç: “Marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë solide”
Zv.kryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, është takuar dje me Presidentin e Republikës së Serbisë, Boris Tadiç. Në takim Tadiç ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes për bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar, tregtisë ilegale me drogë dhe terrorizmit ndërkombëtar. Theksi në këtë takim është vënë te përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e ekonomisë.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari shqiptar të nivelit të lartë në Serbi, çka është përkthyer si një sinjal për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Serbia dhe Shqipëria pritet të firmosin një memorandum mirëkuptimi për të bashkëpunuar në luftën kundër krimit të organizuar, tregtisë së drogës dhe terrorizmit ndërkombëtar.
Meta është takuar edhe me homologun e tij serb, Vuk Jeremiç, të cilët kanë rënë dakord se e ardhmja e rajonit është integrimi në Bashkimin Europian, por nuk kanë rënë dakord përsa i përket çështjes së Kosovës. Ata kanë deklaruar se të dyja vendet do të luajnë rol se do të vendosin komunikim mes kombeve dhe të gjithë rajonit. Të dy kanë theksuar se paqja dhe stabiliteti i rajonit varen nga marrëdhëniet serbo-shqiptare. Ndërkohë, Jeremiç theksoi se Serbia mbështet liberalizimin e vizave për Shqipërinë si dhe integrimin e rajonit në BE.
Vizita
Meta e filloi vizitën e tij zyrtare në Serbi me homazhe pranë varrit të ish-kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç. Këto homazhe përkojnë me 7-vjetorin e vrasjes së Xhinxhiçit. Gjatë homazheve Meta u shoqërua nga bashkëshortja e të ndjerit, Ruzhica Xhinxhiç dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Ministri Meta u takua me presidentin serb, Boris Tadiç në Presidencën serbe. Fillimisht dy zyrtarët kanë shtrënguar duart, kanë prezantuar delegacionet që i shoqëronin. Më pas zyrtarët janë ulur në tryezë të përbashkët në praninë e mediave. Por bisedimet vazhduan më pas me dyer të mbyllura. Deklarata
Gjatë homazheve pranë varrit të ish-kryeministrit Xhinxh, Meta dha një prononcim për mediat. “Ishte një obligim i imi ta nisja këtë vizitë zyrtare në Beograd, duke bërë homazhe dhe duke nderuar kujtimin e kryeministrit të ndjerë Zoran Xhinxhiç, pikërisht këtu në banesën e tij të fundit. Xhinxhiç, pa asnjë diskutim, që mbetet një frymëzim jo vetëm për demokratët dhe forcat progresiste e pro-europiane në Serbi, por në të gjithë rajonin tonë”, - u shpreh Meta, duke nënvizuar “falë kurajës së tij të jashtëzakonshme, Serbia është në një stad të ri të integrimit europian dhe të gjithë procesit të integrimit në komunitetin ndërkombëtar. Falë këtij vizioni dhe kuraje, edhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë përparuar, ndoshta jo aq sa do të dëshironin shumë si unë”.
Marrëdhëniet
Ministri Meta ka vlerësuar zhvillimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, pasi ato do të ndikojnë në procesin e integrimit europian. “Shpreh besimin se akoma më shumë këto marrëdhënie do të shënojnë progres dhe do të jenë solide, sepse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme për perspektivën e rajonit tonë, për përshpejtimin e integrimit të tij europian, dhe janë shumë të rëndësishme për një pajtim të sinqertë, solid dhe afatgjatë midis shqiptarëve dhe serbëve, por edhe midis shqiptarëve dhe gjithë sllavëve në rajon, si një domosdoshmëri për të garantuar një të ardhme të përbashkët për të gjithë qytetarët e rajonit tonë, pavarësisht përkatësive etnike. Ne kemi përgjegjësi të madhe për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë”, - u shpreh Meta. Ai shprehu nderim për Ruzhica Xhinxhiç, pavarësisht angazhimeve shumë të mëdha, pasi kjo periudhë përkon edhe me 7-vjetorin e vrasjes së kryeministrit të ndjerë Xhinxhiç, e cila i nderoi duke u bashkuar në këtë homazh. Meta tha se brenda këtij viti do të organizojë një aktivitet të rëndësishëm me fondacionin “Xhinxhiç” që ajo drejton në Shqipëri, por edhe këtu në Serbi. “Është e rëndësishme të theksoj edhe njëherë se kuraja e këtij politikani të jashtëzakonshëm, për të cilën ai pagoi një çmim jashtëzakonisht të rëndë, do të mbetet gjithmonë një frymëzim jo vetëm për të gjithë forcat progresiste këtu, por edhe për të gjithë rajonin”, - u shpreh Meta. Në fund të homazheve, Meta e falënderoi znj. Xhinxhiç për prezencën e saj dhe e ftoi atë për një vizitë në Shqipëri.
12 Mars 2010