E Diel, 1 Nëntor 2026

Funksionimi i doganave shqiptare, BE kërkon përmirësimin e legjislacionit



Ervin KOÇI

Bashkimi Europian i ka kërkuar qeverisë shqiptare përmirësimin e sistemit doganor, si një prej kushteve kryesore për mbarëvajtjen e marrëdhënieve tregtare me shtet europiane. Gjatë dy viteve të ardhshme, një projekt prej 2 milionë eurosh, i financuar nga BE-ja do të mundësojë përmirësimin e sistemit doganor shqiptar, ku në thelb do të jetë ndryshimi i legjislacionit për doganat. Projekti do të sjellë ekspertizën dhe njohuri nga vendet anëtare për të ndihmuar Shqipërinë të plotësojë legjislacionin dhe të përmirësojë praktikat doganore duke ndjekur ato që zbatohen nga vendet anëtare të BE-së. Projekti i financuar nga BE-ja, synon të çojë përpara procesin e integrimit të Shqipërisë, duke e sjellë vendin në të njëjtin rreth procedurash doganore që kanë lehtësuar tregtinë në këto vende. Ndërkohë qeveria shqiptare është kujdesur që kohët e fundit të krijojë një institucion të posaçëm për të trajnuar administratën doganore dhe atë tatimore, me qilim kualifikimin e stafeve që do të punojnë në këto sektorë.

Projekti
Gjatë ceremonisë së nisjes së projektit, shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori, Helmuth Lohan theksoi se, “BE po investon kaq shumë burime për t’i harmonizuar doganat shqiptare me ato të vendeve anëtare të BE-së, pikërisht prej perspektivës evropiane të Shqipërisë. Që Shqipëria të harmonizojë procedurat doganore me ato të vendeve të anëtare të BE-së, do të thotë të provosh integrimin evropian në një formë konkrete, të prekshme. Do të thotë të bëhesh pjesë e një tregu të gjerë ku rregullat e lojës njihen, respektohen dhe janë nxitëse për biznesin”. Projekti prej 2 milionë eurosh do të vazhdojë deri në vitin 2012 dhe do të zbatohet nga Administrata Doganore Austriake me mbështetjen e Shërbimit Doganor Polak. Aktualisht, tatimet dhe doganat kryejnë sipas mundësive kurse trajnimi, kurse plani i Akademisë synon zhvillime të posaçme kualifikimi, me specialistë të njohur, pedagogë nga administrata fiskale etj. Forma e re e rekrutimit aplikohet prej vitesh në vendet e zhvilluara perëndimore dhe tani provohet të zbatohet edhe në Shqipëri. Sipas projektit, kandidati që kërkon të punësohet në Administratën Doganë, si fillim do të ndjekë një kurs tremujor, duke dhënë provime specifike të fushës. Sa u takon tarifave të shkollës, nuk ka ende një plan të qartë, pasi një tjetër mundësi financimi do të jetë buxheti i shtetit. I gjithë projekti kushton 20 milionë lekë, por nuk përjashtohet mundësia e sponsorëve nga ana e biznesit.

Trajnimet
Sipas vendimit të qeverisë, marrë në dhjetor 2009, trajnimi pranë Akademisë është i detyrueshëm për të gjithë punonjësit e këtyre administratave. Sipas vendimit, datë 16 dhjetor, kurset organizohen për punonjësit në periudhë prove, si dhe në vazhdimësi për punonjës të tjerë, sipas një grafiku të hartuar në përputhje me listat emërore të paraqitura nga drejtoritë përkatëse. Gjatë kohës së trajnimit, nëpunësi merr pagën e plotë. Në përfundim të çdo kursi, organizohet provimi i vlerësimit të dijeve të marra. Vlerësimi i dhënë në përfundim të provimit bëhet pjesë e vlerësimit vjetor të të punësuarit në administratën tatimore apo doganore. Punonjësit në periudhë prove, të cilët nuk kalojnë provimin e vlerësimit të organizuar pranë Akademisë, nuk konfirmohen për përfundimin me sukses të periudhës së provës. Ai që kalon testin ngrihet në detyrë, në të kundërt rrezikon pozicionin, duke rrezikuar kështu dhe humbjen e statusit të nëpunësit civil për të cilën aplikon. Me një fond të veçantë, prej 20 milionë lekësh, Akademia do të vërë para testimit të gjithë punonjësit e administratës së fiskut, që mendohet të jenë rreth 2500.

BOX///////////////////////////
Papajani: Çdo qytetar mbi 18 vjeç do plotësojë deklaratën e të ardhurave

Të gjithë qytetarët do të jenë të detyruar që një herë në vit të plotësojnë deklaratën e të ardhurave personale, në të cilën do të deklarojnë të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet që bëjnë. Pasi ato të tatohen do të përcaktohet nëse administrata tatimore do të rimbursojë qytetarët në rastin kur kanë paguar më shumë taksa apo e kundërta. Projekti i lancuar një ditë më parë në mbledhjen e qeverisë nga kryeministri Berisha ka nisur të diskutohet nga grupi i punës dhe pritet që së shpejti të nisë zbatimi. “Çdo qytetar mbi 18 vjeç, shtetas rezident i Republikës së Shqipërisë detyrohet që të deklarojë të ardhurat e tij vjetore, shpenzimet bazë të tij dhe konform tyre ti nënshtrohet rregullave fiskale. Është një grup pune që është ngritur në Ministrinë e Financave dhe do të shoqërohet me një ligj. Në këtë ligj do të jenë të detajuara mënyrat e klasifikimit që nga të ardhurat dhe nga krahu tjetër një klasifikim i shpenzimeve të cilat natyrisht janë ligjvënësit që do ti klasifikojnë si të zbritshme apo të pazbritshme”, -ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani. Drejtori i Tatimeve shpjegon gjithashtu se zbatimi i këtij projekti është një kërkesë e Bashkimit Europian, e parashikuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

12 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›