Prifti, letër Topallit: “Ti jepet ndihmë ekonomike familjes së Xhindit”
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i është drejtuar me një letër kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, me anë të së cilës kërkohet që t’i jepet ndihmë ekonomike familjes së ish-deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, i cili u nda nga jeta vetëm pak muaj më parë. Lajmi konfirmohet nga zyra e shtypit e Ministrisë së Ekonomisë, e cila sqaron dhe përmbajtjen e letrës. Në shkresën e tij, ministri Dritan Prifti shpreh shqetësimin se familja e ish-deputetit Xhindi është në kushte të vështira ekonomike, pasi ka një kredi shtëpie për të shlyer dhe fëmijët e tij janë në vazhdim të studimeve. Për këtë arsye, ministri Prifti ka kërkuar që shteti t’i vijë në ndihmë familjes së ish-deputetit Fatmir Xhindi.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kryetares se Kuvendit Topalli duke iu drejtuar kryeministrit Sali Berisha me një propozim, që shlyerja e kredisë së strehimit për familjen Xhindi të bëhet nga ana e qeverisë.
12 Mars 2010