Banda e Durrësit; Gjykata rikthen në prokurori aktet për Bujar Gashin
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur t’i rikthejë prokurorisë aktet për Bujar Gashin, një nga të pandehurit e “Bandës së Durrësit”. Vendimi u dha ditën e djeshme nga gjyqtari Ardit Mustafaj, pas kërkesës së prokurorisë, e cila kishte kërkuar edhe me parë tërheqjen e dosjes së këtij të pandehuri. Sipas burimeve, aktet u rikthyen me qëllim saktësimin e identitetit të të pandehurit Bujar Gashi, pasi personi që ata kërkonin në Kosovë, nuk kishte të njëjtat gjeneralitete dhe të dhëna të tjera me Bujar Gashin që kërkohej nga drejtësia shqiptare. Përgjigja e UNMIK-ut solli një konfuzion në sallën e gjyqit për këtë të pandehur, duke detyruar togat e zeza t’i kërkojnë organit të akuzës të saktësojë edhe një herë gjeneralitetet e këtij të pandehuri. Bujar Gashi, nga Durrësi, është i akuzuar për vepra të ndryshme penale, të kryera në emër të grupit të Lulzim Berishës dhe rivalit të tij, Indrit Dokle. Identitetin Bujar Gashi e mban dhe një person tjetër në qytetin e Durrësit, por emrin e babait e ka të ndryshëm. Gjithashtu, Bujar Gashi që kërkohej në Kosovë kishte qysh prej viteve ‘90 që nuk kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte nga Kukësi. Këtu ka lindur dhe konflikti që akuza ka kërkuar rikthimin e dosjes për plotësime të mëtejshme.