Reagimi; Ministri Nishani, letër gjykatës për kryeinspektor Ahmetajn
Ministri i Brendshëm merr në mbrojtje shefin e komisariatit të qarkullimit rrugor për kryeqytetin, jo vetëm me deklarime publike, por edhe me shkresa zyrtare. Madje, duke argumentuar se Krenar Ahmetaj ka zbatuar ligjin dhe është kundërshtuar dhe fyer së bashku me punonjësit e policisë rrugore nga shtetasit që pretendojnë se janë të dëmtuar. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i drejtohet me një letër zyrtare gjyqtares që vendosi pezullimin nga detyra të shefit të qarkullimit për kryeqytetin, Krenar Ahmetaj. Letra me nr. protokolli 4523 dhe që mban datën e tri ditëve më parë, i drejtohet gjyqtares Majlinda Doga në lidhje me caktimin e masës së sigurimit për shefin e komisariatit të qarkullimit rrugor në Tiranë, kryeinspektor Krenar Ahmetaj. Sipas ministrit Nishani, lidhur me këtë rast janë bërë verifikimet nga ana e Ministrisë së Brendshme, dhe vetëm pas publikimit të lajmit në media kanë mësuar se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte depozituar në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë për Ahmetajn dhe marrjen e tij si person nën hetim, me akuzën “e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga neni 240/1 “a” i K.Pr.Penale. “Zonja gjyqtare, pa ndërhyrë në objektivitetin dhe paanësinë e gjykatës, e shikojmë me vend t’ju bëjmë me dije se dy rastet e pretenduara nga organi i akuzës për keqtrajtimin e shtetasve Elisabeta Ymeri e Hasan Nezaj nuk është motivi ligjor që kërkohet pezullimi nga detyra për punonjësin e policisë Krenar Ahmetaj”, - shkruan në letrën e tij ministri, duke shtuar se “rastet në fjalë janë objekt hetimi dhe në çdo rast kanë qenë punonjësit e policisë në detyrë të dëmtuar, duke ushtruar edhe dhunë fizike ndaj tyre”. Sipas ministrit, për këto veprime kundërshtimi dhe dhune janë depozituar kallëzimet dhe aktet e tjera hetimore pranë prokurorisë për veprën penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal. Nisur nga dokumentacioni dhe informacioni që disponon Ministria e Brendshme, z. Nishani i drejtohet gjyqtares Doga me bindjen se nuk ekziston asnjë dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova për të caktuar masën e sigurimit personal të kërkuar nga prokuroria ndaj kryeinspektor Krenar Ahmetajt. Po sipas ministrit Nishani, oficeri i policisë Krenar Ahmetaj, gjatë periudhës që drejton komisariatin e qarkullimit rrugor në kryeqytet, ka punuar me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri për përmbushjen e rregullt të detyrës, punë për të cilën ka marrë falënderime publike nga Ministria e Brendshme. Më tej, ministri vijon letrën e tij me situatën në të cilën ndodhet qarkullimi rrugor në Tiranë, pasi është marrë detyra nga Ahmetaj, ku duken qartë përmirësimet e trafikut rrugor, ndërkohë që mosbindja e drejtuesve të mjeteve, sipas tij, për fat të keq vazhdon të jetë prezente, kundërshtime të cilat çojnë deri në përdorimin e dhunës ndaj punonjësve të policisë në detyrë. “Pezullimi i kryeinspektorit Krenar Ahmetaj nga detyra do të dëmtonte rëndë efektivitetin dhe eficensën e punës së strukturës policore që ai drejton”, - ka përfunduar letrën e tij ministri Nishani.