Maturantët, të ftuar të aplikojnë për policë vetëm me listën e notave
Lista e notave duhet të firmoset nga Drejtoria Arsimore
Më pas, të paraqesin diplomën e shkollës në polici
Marrja e diplomës së shkollës së mesme për shkak të kohëzgjatjes së provimeve të Maturës Shtetërore rrezikon të rinjtë që duan të ndjekin Akademinë e Policisë. Por, një gjë e tillë nuk është lënë jashtë vëmendjes së Policisë së Shtetit, e cila e ka një zgjidhje për të gjithë personat që dëshirojnë të aplikojnë për t’u bërë pjesë e “Patrullës së Përgjithshme”. Në një njoftim për shtyp, të nxjerrë një ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të ditur se në vend të diplomës se shkollës së mesme, kandidatëve do t’u pranohet vërtetim notash me fotografi dhe i konfirmuar nga Drejtoria Arsimore. Por, në momentin e marrjes se diplomës, duhet ta paraqesin atë pranë zyrës së personelit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, në të kundërt, nuk do të lejohen të vazhdojnë konkurrimin, edhe nëse janë fitues.
Afati i regjistrimit është deri në datën 25 të këtij muaji dhe bëhet në çdo Drejtori të Policisë në Qarqe, ndërkohë që Policia e Shtetit ka ftuar të gjithë të rinjtë që mbarojnë maturën këtë vit se e kanë të drejtën e aplikimit në procesin e pranimit të kandidatëve të rinj për të ndjekur studimet pranë Shkollës së Policisë për "Patrullën e Përgjithshme".
Ndërkohë, veç diplomës së shkollës së mesme apo vërtetim notash me fotografi dhe i konfirmuar nga Drejtoria Arsimore, kandidatët duhen të paraqesin edhe: a) formularin e plotësuar të aplikimit, të përcaktuar nga struktura qendrore e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë; b) fotokopje të pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi; c) dëshmi penaliteti; ç) fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B.
Konkurrimi me shkrim do të bëhet në datën 10.07.2008 në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në orën 08:00. Kuota e pranimit në Shkollën e Policisë do të jetë 150 persona. Megjithatë, për informacione të mëtejshme mbi formularin e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm, Policia e Shtetit ka thënë se të gjithë të interesuarit mund të paraqiten pranë drejtorive të policisë në qarqe ku banojnë ose të vizitojnë faqen e internetit www.moi.gov.al. Po ashtu, për paqartësi apo pyetje që mund të kenë rreth këtij procesi, mund të kontaktojnë me e-mail në adresën: shkollaepolicise@mrp.gov.al.
Kriteret
1. Të jetë shtetas i Republikës së Shqipërisë
2. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar
3. Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën
4. Të ketë mbaruar shkollën e mesme
5. Të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në shërbimin policor
6. Të mos jetë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë
7. Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B
8. Nuk ka të drejtë të aplikojë për t’u pranuar në Polici personi ndaj të cilit është marrë masa disiplinore e përjashtimit nga Policia e Shtetit ose e largimit nga shërbimi civil
Dokumentet për aplikimin
a) formulari i plotësuar i aplikimit, i përcaktuar nga struktura qendrore e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë
b) fotokopje të pasaportës ose certifikatë lindjeje me fotografi
c) kopje origjinale ose fotokopje të noterizuar të diplomës së shkollës së mesme
ç) dëshmi penaliteti
d) fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B
Procedurat e aplikimit
Procedura e aplikimit për punonjësit e policisë fillon kur kandidati plotëson formularët e aplikimit dhe i dorëzon ato bashkë me dokumentet e kërkuara në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Me marrjen e formularit të plotësuar, Drejtoria e Policisë së Qarkut i lëshon aplikantit një dokument që vërteton marrjen e aplikimit. Drejtoritë e Policisë në Qarqe përgjigjen për dërgimin e formularëve të plotësuar të aplikimit në Sektorin e Pranimit në strukturën qendrore të personelit, në vijim Sektori i Pranimit.
Procedurat e testimit, metodat dhe standardet
Aplikantët e përzgjedhur për të vazhduar procesin e pranimit i nënshtrohen procedurës së testimit sipas rendit të mëposhtëm:
a) testi me shkrim
b) testi i aftësive fizike
c) intervista me gojë
ç) kontrolli mjekësor
d) marrja e shenjave të gishtave
dh) kontrolli psikologjik
e) verifikimi i aplikantit
Rastet për skualifikim të menjëhershëm
Kandidati skualifikohet në mënyrë të menjëhershme kur:
a) Nuk përmbush një nga kriteret e pranimit
b) Nuk kalon testin me shkrim
c) Nuk kalon testin e aftësive fizike
ç) Nuk kalon kontrollin shëndetësor dhe psikologjik
d) Ka qenë i dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale
dh) Ka pranuar se ka kryer më parë vepër penale
e) Ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara që kanë për qëllim të rrisin mundësitë për punësim të aplikantit
ë) Nga testi për përdorim droge rezulton se është ose ka qenë përdorues droge ose provohet se është regjistruar si përdorues droge në shtatë vitet e fundit
f) Ka kryer një krim në moshë të mitur nën 14 vjeç