E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama kryeprokurori te Antimafies: Të bëjmë më efikase luftën kundër krimit të organizuar

Gjetja e metodave për të forcuar bashkëpunimin mes institucioneve të Prokurorisë së Antimafies italiane dhe Prokurorisë shqiptare. Kjo ka qenë tema kryesore e diskutimit në takimin e mbajtur dje mes Kryeprokurores Ina Rama dhe Kryeprokurorit të Antimafies italiane, Pirlo Grass. Numri një i akuzës shqiptare, me ftese të palës italiane, ndodhet në vendit fqinj për të zhvilluar takime me krerë të lartë të akuzës italiane. Në takimin e parë mes saj dhe Grass, sipas burimeve, thuhet se qëllimi i bisedimeve ishte rënia dakord për shpejtimin apo thjeshtëzimin e shkëmbimit të informacionit mes palëve, në kuadër të hetimeve që zhvillohen nga prokuroritë respektive. Gjithashtu, të dyja palët, Prokuroria shqiptare dhe ajo e Antimafia italiane u angazhuan reciprokisht për të përshpejtuar ekzekutimin e letër-porosive, për llogari të procedimeve penale. Bashkangjitur kësaj, në takim u diskutua edhe rreth përpjekjeve të përbashkëta për të bërë të mundur njohjen dhe ekzekutim e vendimeve penale të gjykatave italiane për shtetasit shqiptarë. Sipas të njëjtave burime, thuhet se “Kryeprokurorja Rama dhe Prokurori i Antimafies italiane, Grass, diskutuan për koordinim dhe analiza të të gjitha të dhënave që kanë të dyja prokuroritë në funksion të bashkërendimit të punëve, për të bërë sa më efikase luftën kundër krimit të organizuar, si në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”. Në vizitën zyrtare të saj, Rama shoqërohet nga disa prokurorë, si edhe pjesëtarë të kabinetit të saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›