E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi; Shfrytëzoi të miturën, 7 vjet burg për 42-vjeçarin Duda

Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli dje vendimin dhe dënoi me 7 vjet burg 42-vjeçarin Ramazan Duda, i cili akuzohet për shfrytëzimin e një të miture. Sipas akuzës, gjatë vitit 2007, Duda ka shfrytëzuar si lypëse në rrugët e qytetit të Fierit dhe Vlorës 13-vjeçaren Suzana D., banore e qytetit të Kavajës. Bulevardi “Ramiz Aranitasi" në Fier, bëri të ditur akuza, ka qenë dhe vendi i punës së 13-vjeçares, e cila flinte në lulishtet e qytetit dhe në mëngjes, që në orët e para, dilte për të lypur. Pas ndalimit dhe dërgimit në polici, 13-vjeçarja Suzana D. ka treguar se ka qenë e detyruar të lypte, pasi Ramazan Duda e ka kërcënuar atë. Gjithashtu, ajo ka deponuar se kishte rreth dy vjet që ushtronte këtë profesion dhe si fillim e në vazhdim kjo punë ishte zgjedhur nga gjyshja e saj. Hetimet për këtë ngjarje tregojnë se gjyshja e të miturës e njihte 42-vjeçarin Duda.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›