“Banda e Durrësit”; “Loja” e avokatëve me klientët, dështon sërish gjyqi
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dështuar edhe dje procesi në ngarkim të 16 të pandehurve, të akuzuar si anëtarë të “Bandës së Durrësit”. Shkak për dështimin e seancës janë bërë sërish avokatët mbrojtës të të pandehurve, të cilët kanë debatuar për zëvendësimet e tyre nga togat e zeza, kërkesat e klientëve të tyre, si dhe për një ndikim të gjyqtarëve nga presioni i politikës. Fillimisht e braktisi sallën e gjyqit avokati Detar Hysi, i cili mbron të pandehurin Sardian Sulejmani. Pasi u revokua vendimi i një seance më parë, ku Sulejmanit i ishte caktuar një avokat kryesisht, gjyqtarit kryesues i ka mbërritur një kërkesë nga i pandehuri që kërkon të mbrohet nga avokati Hysi. Më pas ka qenë avokati Riza Hicka, i cili ka përmendur një film në një televizion lokal, në të cilin është dhënë një deklaratë politike, ku përmendet arrestimi i anëtarëve të “Bandës së Durrësit”. Pas disa debateve mes togave të zeza dhe avokatëve, gjyqtari kryesues, Gurali Brahimllari, e ka pasur të pamundur të zhvillojë procesin, duke e çuar në 27 numrin e seancave të shtyra që nga fillimi i gjykimit. Procesi në ngarkim të 16 të pandehurve të akuzuar për krime të ndryshme në qytetin bregdetar, ka nisur që më 5 korrik të vitit të kaluar. Por që nga nisja e tij ky proces ka shënuar një numër rekord shtyrjesh, duke mos bërë të mundur zhvillimin normal të gjykimit. Të akuzuarit e kësaj dosjeje janë Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullari, Endrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale si vrasje, vjedhje, grabitje, rrëmbim personi, trafik lëndësh narkotike etj.
Dorina Gozhina
Dorina Gozhina