E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masa; “Arrest me burg” për nipin që rrahu për vdekje hallën e tij

Gjykata e Faktit në Gjirokastër ka lënë në burg 32-vjeçarin, i cili pak ditë më parë rrahu për vdekje hallën e tij. Në një seancë të veçantë gjyqësore, togat e zeza të kësaj gjykate caktuan masën “arrest me burg” për 32-vjeçarin Vladimir Ademi, lindur dhe banues në fshatin Vinokash të Përmetit, i cili ditën e diel rrahu për vdekje hallën e tij, 43-vjeçaren Dashuri Hodobashi, e cila nga plagët e marra humbi jetën disa orë pas ngjarjes në spitalin e qytetit të Përmetit. Mbi Ademin rëndon akuza për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”. Ndërkohë, Prokuroria e Gjirokastrës do të kërkojë brenda procedurave ligjore ekzaminimin psikik të 32-vjeçarit Ademi. Ky shtetas, sipas akuzës, ditën e diel, në fshatin Vinokash 2, të Komunës Ballaban, të rrethit Përmet, ka rrahur dhe keqtrajtuar hallën e tij, 43-vjeçaren Dashuri Hodobashi, e cila si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën. Autori menjëherë pas kryerjes së veprës penale është larguar nga banesa. Pasi kanë bërë krehjen dhe rrethimin e zonës përreth fshatit Vinokash, policia ka bërë e mundur ndalimin e 32-vjeçarit Ademi në vendin e quajtur pylli i Ballabanit. Pas ndalimit, ai është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, ku dhe i është nënshtruar hetimit në lidhje me ngjarjen. Sipas hetimeve të para të policisë, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe trupit të viktimës, ka rezultuar se shkaku i vdekjes së 43-vjeçares Hodobashi ishte dhuna e ushtruar mbi të nga nipi i saj, Vladimir Ademi. Viktima ka qenë e martuar në Berat, por pas vdekjes së burrit, së bashku me dy fëmijët e saj është rikthyer në shtëpinë e babait, ku prej vitesh jetonte me nipin e saj, Vladimirin. Sipas policisë, të dy fëmijët e viktimës aktualisht janë në shtëpinë e fëmijës në fshatin SOS, për arsye se kjo shtetase nuk i mbante dot se ishte e sëmurë mendore, me kartelë. Sipas policisë, shtetasi Vladimir Ademi shpeshherë merrte ilaçe, pasi shfaqte shenja depresioni, por jo i regjistruar me kartelë. Muajt e fundit debati mes nipit dhe hallës kishte filluar të ashpërsohej, pasi ajo nuk e lejonte nipin 32-vjeçar të dilte nga shtëpia. Mesditën e së dielës, ata kanë debatuar sërish me tone të ashpra, konfirmojnë burimet policore. Në këtë situatë i nipi ka filluar ta godasë hallën e vet me grushte dhe shkelma, duke e keqtrajtuar atë. Madje, të thirrurat dhe britmat e saj kanë tërhequr edhe vëmendjen e komshinjve, të cilët kanë vrapuar në banesën e tyre. Pas ngjarjes, i nipi i ka pohuar policisë se shkaku që ai e kishte rrahur hallën e vet, duke e lënë të përgjakur në dyshemenë e banesës, ishte se ajo nuk duhet të dilte nga shtëpia. “Ajo nuk duhet të dilte nga shtëpia, madje as për të punuar arat, pasi Allahu më kishte thënë që ajo duhet të qëndronte në shtëpi”, - i ka pohuar Ademi grupit hetimor.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›