E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, nën hetim tre doganierë dhe një kontrollor në port

Tre doganierë dhe një ndihmëskontrollor në komisariatin e policisë së portit në Durrës janë vënë nën hetim nga policia, pasi dyshohet se gjatë kryerjes së detyrës nuk kanë ushtruar kontroll në dy automjete, në të cilat janë bllokuar një sasi mallrash kontrabandë. Ndërkohë, pronari i automjetit, Muharrem Deliallisi, 30 vjeç, nga Shijaku, është arrestuar me akuzën e kontrabandës me mallra që paguhet akcizë. Lajmi është konfirmuar dje nga të dhëna zyrtare të policisë së Durrësit, sipas të cilave, mëngjesin e djeshëm punonjësit e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik vunë nën pranga Delialliasin, pasi u kap në flagrancë me një sasi prej 240 litrash vaj automjetesh dhe disa mallra të tjera kontrabandë.

Sakaq, pas një hetimi të shpejtë për këtë çështje, policia tha se nën hetim në gjendje të lirë janë vënë edhe Pëllumb Peci, 35 vjeç, nga Lushnja, ndihmëskontrollor në Komisariatin e Portit, Skënder Ajdini, 43 vjeç, nga Durrësi, doganier në Degën e Doganës Durrës, Naim Smoqi, 51 vjeç, nga Shijaku, doganier në Degën e Doganës Durrës, si dhe procedim penal në mungesë ndaj Arben Krastës, me detyrë doganier në Doganën Durrës. Policia tha se doganierët akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe për këtë materialet i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Durrësit.

Ia ka hedhur të kalojë sasinë e vajit si dhe mallra të tjera, pa paguar detyrimet në doganën e portit, por është bllokuar në momentin e fundit nga punonjësit e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik në dalje të tij. Muharrem Deliallisi, 30 vjeç, nga Shijaku, nuk ka pasur se çfarë t’u thotë apo t’u tregojë specialistëve të Krimit Ekonomik, kur këta të fundit i kanë kërkuar dokumentet e mallrave që ndodheshin në automjetin e tij. Arrestimi i tij ka qenë i menjëhershëm, ndërkohë që tashmë ishte fare e qartë se bëhej fjalë për kontrabandë të favorizuar nga doganierët që ndodheshin me shërbim në port. Në fakt, burime nga policia e qytetit bregdetar kanë pohuar se ndaj punonjësve të doganës kishte edhe informacione të tjera për favorizim kontrabande, por se tashmë pritej lëvizja e gabuar.

Një gjë e tillë ka ardhur pikërisht mëngjesin e djeshëm, kur një automjet tip “Mercedes-Benz”, si dhe një tjetër pa targa, me një sasi prej 240 litra vaj automjetesh, ka kaluar doganën e portit pa shqetësimin më të vogël.

Një gjë e tillë nuk ka kaluar pa u vënë re nga specialistët e policisë, të cilët pas verifikimeve kanë vënë në pranga pronarin e automjeteve.

Pas marrjes në pyetje dhe hetimeve të kryera, nën hetim janë vënë edhe përgjegjësit e dyshuar të doganës. Sipas policisë, për realizimin e kontrabandës dyshohet se Delialliasi ka bashkëpunuar me katër punonjësit e doganës.

I arrestuar

Muharrem Deliallisi, 30 vjeç, nga Shijaku

Nën hetim

Pëllumb Peci, 35 vjeç, nga Lushnja, ndihmëskontrollor në Komisariatin e Portit

Skënder Ajdini, 43 vjeç, nga Durrësi, doganier në Degën e Doganës Durrës

Naim Smoqi, 51 vjeç, nga Shijaku, doganier në Degën e Doganës Durrës

Arben Krasta, me detyrë doganier në Doganën Durrës

Sekuestruar

240 litra vaj automjetesh;

mallra të tjera kontrabandë;

2 autovetura të tipit “Mercedes-Benz” pa targa;

telefona celularë;

mallra kontrabandë të gjetura gjatë kontrollit të mjeteve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›