Shkodër; Kapet pas 7 vjetësh për vjedhje dhe falsifikim pasaporte
SHBA ekstradon drejt Shqipërisë 30-vjeçarin Fatjon Stërkaj, i cili akuzohet nga policia shqiptare për veprën penale të “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim”. Deportimi i tij në aeroportin e Rinasit është bërë falë bashkëpunimit mes dy Interpoleve të dy shteteve dhe marrëveshjes që ekziston për ekstradimet. Dorëzimi i 30-vjeçarit u bë dy net më parë, ndërkohë që arrestimi i tij nga autoritetet amerikane u realizua pas 7 vjetësh kërkime. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, Fatjon Stërkaj, 30 vjeç, lindur e banues në lagjen “Tom Kola”, Shkodër, ka qenë person i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Shkodër, 7 vjet më parë. Stërkaj është dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë për veprën penale të “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim”. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1998, rreth orës 12:00, në afërsi të stadiumit “Dinamo” , Tiranë, kur ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin Artan Brahja, ka vjedhur me dhunë një automjet tip “Benz”, me targa TR 7859 D, në pronësi të shtetasit D. A. Ndërkaq, policia ka shkuar menjëherë në vendin, ku dhe ka ndodhur vjedhja, por nuk ka bërë të mundur identifikimin e personave, pasi këta të fundit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu, po sipas burimeve policore, në ngarkim të këtij shtetasi rëndon dhe vepra penale e “falsifikimit të pasaportës”, pasi i është gjetur një pasaportë e falsifikuar, në emër të një shtetasi tjetër, e cila e ka ndihmuar këtë të fundit për ta përdorur me qëllim largimin në drejtim të SHBA-së. Materialet në ngarkim të shtetasit Fatjon Stërkaj i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.