Gjykatë; U “ngeli” berberi në dorë, hidhet shorti për të pandehurit Zenelaj e Lazaj
Pas përfundimit të hetimit dhe depozitimit të dosjes në Gjykatën e Tiranës, dje është hedhur shorti për çështjen në ngarkim të të pandehurve Albana Zenelaj dhe Petrit Lazaj, të akuzuar për veprën penale “vjedhje me pasojë vdekjen”. Në ditët në vijim do të jetë gjyqtari Femi Petku që do të kryesojë shqyrtimin e kësaj çështjeje. E pandehura Zenelaj, sipas akuzës, ishte prostitutë dhe klientët ia siguronte i pandehuri tjetër, Petrit Lazaj. Dy të pandehurit në bashkëpunim kanë njohur berberin nga Durrësi, të cilin e kanë sjellë deri në ambientet pas ish-Ambasadës Jugosllave. Por, sipas burimeve nga akuza, Gëzim Shullani, viktima 57-vjeçar nga Durrësi, ka mbetur viktimë në këtë ngjarje, pasi ka kundërshtuar dy bashkëpunëtorët. Skema është zbuluar pas një sërë hetimesh të sektorit të krimeve të vjetra në policinë e kryeqytetit, që më pas ka identifikuar dhe dy autorët e dyshuar. Po sipas akuzës, viktima Gëzim Shullani ka zgjedhur të qëndrojë disa orë me 37-vjeçaren Albana Zenelaj, por pas takimit ka gjetur vdekjen. Albana Zenelaj luante rolin e prostitutës, ndërsa miku i saj, Petrit Lazaj, siguronte klientët, të cilët më pas grabiteshin. Sipas hetimeve, dy bashkëpunëtorët kryenin aktivitetin në afërsi të ish-Ambasadës Jugosllave, në një ndërtesë të braktisur. Pasi e kanë grabitur dhe plaçkitur viktimën, duke i marrë sendet personale dhe shumën e parave prej 4 mijë lekësh, e kanë qëlluar me mjete të forta në kokë, duke e lënë të vdekur. Trupi i pajetë i Gëzim Shullanit është gjetur pas ish-Ambasadës Jugosllave mëngjesin e 3 marsit të këtij viti nga një kalimtar.