Masa ; Lihen në burg anëtarët e “bandës së Mile Çamit”, vranë mamanë e Lul Cakës
Nuk kanë të sosur akuzat e rënda penale ndaj të “tmerrshmit” të Fierit, Mile Çamit dhe dy anëtarëve të tjerë të bandës së tij kriminale, që ndonëse pas hekurave dhe të dënuar me shumë vite burg, tashmë mbi supe u rëndon edhe vrasja e nënës së Lulzim Cakës, 7 vjet më parë. Pas hetimeve të shumta, policia ka dokumentuar dhe zbardhur tërësisht vrasjen makabre, duke bërë që Gjykata e Fierit të japë një ditë më parë masën “arrest me burg”. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilave, në kuadër të operacionit të koduar “Rrëmbimi”, është bërë i mundur dokumentimi i plotë i ngjarjes së ndodhur më 1 korrik të vitit 1999, ku në afërsi të portës ku bëheshin takimet me të arrestuarit në Drejtorinë e Policisë Qarkut Fier, është rrëmbyer, torturuar dhe më vonë është vrarë me armë zjarri në pyllin e lumit Seman, Xhevrie Caka. Ngjarja do të lihej në hije për shumë kohë, derisa pas një pune hetimore të kryer me metoda speciale të hetimit nga Drejtoria e Policisë së Fierit, është bërë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes. Për këtë arsye, dje Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të “vrasjes me paramendim” për Fatmir Eminin, ndryshe i njohur si Mile Çami, 52 vjeç, i dënuar me 22 vjet burg për vrasje, aktualisht është duke vuajtur dënimin, Artan Yzeirin, 38 vjeç, i dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e ish-kryetarit të Komunës Kutalli Berat, aktualisht person në kërkim të dy këta me banim në Fier; Bledar Yzeirin, 30 vjeç, i dënuar me 17 vjet burg për vrasjen e shtetasit Neki Çala, është arrestuar në Belgjik dhe pritet ekstradimi i tij. Ndërkohë që gjatë periudhës janar-maj të këtij viti nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier kanë rifilluar hetimet për 30 ngjarje të vjetra, 13 nga të cilat janë dokumentuar deri tani, gjithashtu është bërë e mundur kapja e 81 personave të shpallur në kërkim në territorin e Shqipërisë dhe 10 persona janë arrestuar në bashkëpunim me Interpol Tiranën.