E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi; Kryepolici bashkiak i Himarës shprehet se zbatoi urdhrin e Bollanos

Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Rrethit Vlorë, kundër kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, ka deponuar dje kreu i Policisë Bashkiake të Himarës. Në seancë nuk ka qenë i pranishëm Vasil Bollano, por përfaqësohej në seancë nga avokati i tij, Petraq Curri. Bollano, njëkohësisht kryetar i OMONIA-s, akuzohet për “shpërdorim detyre”, lidhur me heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në një aks rrugor nacional, me pasojë dëm ekonomik ndaj shtetit në vlerën 2.2 milionë lekë. Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Vlorës, bëhet e ditur se kryepolici bashkiak, Aleks Deda, erdhi në seancën e katërt gjyqësore ndaj Bollanos, me kërkesë të organit të Prokurorisë. Në seancën e djeshme, dëshmitari Deda është përgjigjur në lidhje me pyetjet e parashtruara nga prokurori i çështjes, Sokol Malaj, për heqjen e disa tabelave në shqip në rrugët përreth Himarës. Deda pranoi se ky veprim ishte kryer nga vartësit e tij, në zbatim të urdhrit të nxjerrë nga Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, urdhër që detyronte strukturën që ai drejton, për ta zbatuar. “Unë kam urdhëruar vartësit e mi që të ekzekutojnë një urdhër të firmosur nga z. Bollano dhe ardhur për zbatim në zyrën e Policisë Bashkiake”, - është shprehur Deda. Ai tha se urdhri përcaktonte heqjen e tabelave (siç duket në foton bashkëlidhur) që kishin udhëzime në gjuhën shqipe, në aksin rrugor Llogara–Qeparo. Prokurori i çështjes, Sokol Malaj, që është njëkohësisht dhe Kryeprokuror i rrethit Vlorë, kërkoi nga togat e zeza që në seancën e ardhshme, të jetë i pranishëm edhe Vasil Bollano. Seanca e ardhshme mësohet se u fiksua për në datën 19 shtator të këtij viti, ku pritet që të mësohet nëse Bollano do të pranojë kërkesën e prokurorit për të shoqëruar avokatin e tij në seancën gjyqësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›