E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimi i kryetarit të Gjykatës së Lartë mban peng nisjen e punës së 6 gjyqtarëve të rinj

Gjendja në Gjykatën e Lartë vazhdon të jetë e njëjtë si disa muaj më parë, ndonëse një muaj më parë u miratuan në Kuvend dhe bën betimin para kreut të shtetit 6 emrat e dekretuar nga Presidenti i Republikës për vendet vakante në shkallën e tretë të gjyqësorit. Edhe pse gjyqtarët e rinj janë paraqitur në këtë gjykatë, ata ende nuk mund të nisin normalisht punën, apo dhe t’iu ngarkohen çështje gjyqësore për të shqyrtuar. Sipas burimeve zyrtare pranë kësaj gjykate, arsyeja e mospërfshirjes së gjashtë gjyqtarëve të rinj të gjykatës në vorbullën e punës së Gjykatës së Lartë është mosbërja ende e betimit para kryetarit të Gjykatës së Lartë. Ndërkohë që betimi është shtyrë jo për faj të gjyqtarëve, as për faj të kryetarit se nuk dëshiron apo pranon kandidaturat, por sepse prej disa muajsh ky post drejtues, pas mbarimit të mandatit të Thimio Kondit, është vakant dhe se ende nuk është përzgjedhur mes gjyqtarëve kryetari i ri. Në bazë të ligjit, kryetari zgjidhet mes radhëve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Pas emërimit të kreut të Gjykatës së Lartë, gjashtë anëtarët do të bëjnë betimin para kryetarit të ri dhe më pas nisin detyrën si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, duke u përfshirë në shortin e hedhur nga kryetari apo kolegjet penale apo civile për çështje të ndryshme. Për shkak të mungesave në gjyqtarë mësohet se numri i çështjeve në Gjykatën e Lartë për shqyrtim është rritur së tepërmi, ndaj dhe, sipas të njëjtave burime, sa më parë duhet zgjidhur çështja e emërimit të kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Gjashtë anëtarët e rinj

Aleksandër Muskaj

Ariana Fullani

Andi Çeliku

Evelina Qirjako

Guxim Zenelaj

Majlinda Andrea

Emërimi dhe roli i kryetarit të Gjykatës së Lartë

Neni 136 i Kushtetutës

1. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

2. Njëri nga anëtarët emërohet kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.

Neni 7

Kryetari i Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë përfaqësohet nga kryetari.

Kryetari i Gjykatës së Lartë kryen këto detyra:

a) Drejton Kolegjet e Bashkuara.

b) Bën ndarjen e gjyqtarëve në kolegje.

c) Kujdeset për funksionimin normal të Gjykatës së Lartë.

ç) Emëron dhe shkarkon ndihmësit ligjorë.

d) Emëron dhe shkarkon personelin e shërbimeve ndihmëse.

dh) Bën kërkesat për buxhetin vjetor të Gjykatës së Lartë dhe mbikëqyr zbatimin e tij.

e) Miraton strukturën, organikën dhe rregullat e brendshme të Gjykatës së Lartë.

Kryetari i Gjykatës së Lartë kryen dhe detyra të tjera që parashikohen me ligj.

Kryetari i Gjykatës së Lartë në ushtrimin e funksioneve të tij ndihmohet nga këshilltarët dhe personeli ndihmës.

Neni 9

Këshillimi me gjyqtarët

Kryetari i Gjykatës së Lartë këshillohet me gjyqtarët, sidomos për:

a) strukturën e Gjykatës së Lartë;

b) rregullat e brendshme të funksionimit të Gjykatës së Lartë;

c) kërkesat për buxhetin e Gjykatës së Lartë;

ç) ndarjen dhe lëvizjen e gjyqtarëve në kolegje

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›