“Banda e Durrësit”, ekstradohet nga Italia Bujar Gashi
Pasi u saktësua se bëhej fjalë për Bujar Gashin e vërtetë, atë që kërkohej si anëtar i “Bandës së Durrësit”, zyra qendrore e Interpol-Tiranës ka ekstraduar nga Italia, 36-vjeçarin, i kërkuar për vrasjen e një personi. Ai kishte arritur që t’i shmangej arrestimit, duke shkuar në Itali. Megjithatë, pas bashkëpunimit midis Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u bë e mundur gjetja dhe arrestimi i 37-vjeçarit. Ekstradimi i tij është bërë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr. 114, datë 21.07.2008, ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim’. Sipas vendimit të gjykatës, më datë 09.07.2000, rreth orës 22:00, në vendin e quajtur Shënavlash, Durrës, shtetasit Bujar Gashi në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë kanë vrarë me armë zjarri shtetasin Dritan Disha. I kërkuari iu dorëzua autoriteteve policorë ditën e djeshme, në pritje për të vazhduar procesin gjyqësor në vend.
Arrestimi
Një vit më parë, u gjend më në fund Bujar Gashi i vërtetë, pas gabimit të bërë, kur në Kosovë u arrestua një tjetër shtetas me të njëjtin emër e mbiemër, por që nuk kishte të bënte me “Bandën e Durrësit”. Ky shtetas u arrestua në Trento të Italisë, një nga anëtarët e “Bandës së Durrësit”, i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare për veprat penale të vrasjes dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur në shtator të vitit të kaluar se nga Interpol-Tirana në bashkëpunim me Interpol-Romën u bë i mundur arrestimi i shtetasit Bujar Gashi, 36 vjeç, lindur e banues në Durrës. Shtetasi Bujar Gashi është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda në datën 21.07.2008 ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” për veprën penale të “vrasjes në bashkëpunim”, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “krijimit të organizatës kriminale”, parashikuar nga nenet 78-25, 278/4, 333/a të Kodit Penal. Sipas vendimit të gjykatës, në datën 09.07.2000, rreth orës 22:00, në fshatin Shënavlash të rrethit të Durrësit është vrarë me armë zjarri brenda në makinën e tij shtetasi Dritan Disha. Të dyshuar për kryerjen e kësaj vrasjeje janë shtetasit Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi. Sipas policisë, Gashi prej kohësh ishte stabilizuar në Tione, një komunë në Valli Giudicarie, ku kishte filluar të punonte si punëtor në Storo. Por, në të kaluarën e tij kishte diçka që nuk ishte rrëfyer. Gashi është arrestuar nga karabinierët në Trentino, pasi ishte i shpallur në kërkim për një vrasje të kryer në vendin e tij të origjinës në vitin 2000. 36-vjeçari kishte mundur t’i shpëtonte drejtësisë për të krijuar një jetë tjetër mes maleve në Trentino. Por, ndonëse në distancë vitesh, mandati i arrestit të lëshuar nga Gjykata e Tiranës e ka gjetur, duke mos i dhënë mundësi arratie. Bujar Gashi akuzohet se ka kryer një vrasje gjatë një konflikti me armë zjarri mes bandash kriminale. Kishte të paktën 8 vite në kërkim, duke humbur krejtësisht gjurmët deri dy ditë më parë. Karabinierët arritën në identitetin e tij falë disa të dhënave nga Interpoli, por edhe disa verifikimeve të kryqëzuara. Aktualisht, Gashi gjendet në burgun e Trentos në pritje të dokumentacionit të ekstradimit për në Shqipëri, ku do përballet me akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Veçimi i çështjes
Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar nga gjykata veçimin e çështjes për të pandehurin Bujar Gashi, me qëllim plotësimin e saktë të gjeneraliteteve të tij. Kjo ndodhi pas arrestimit të një shtetasi në Kosovë, në bashkëpunim me UNMIK-un, me të njëjtat të dhëna, veçse ky nuk kishte jetuar asnjë ditë pas viteve ’90 në Shqipëri. Gashi i arrestuar në Kosovë refuzonte të ishte personi i kërkuar nga policia shqiptare, madje duke paraqitur të gjitha të dhënat që dispononte dhe që nuk përkonin plotësisht me personin në kërkim. Gjykata, e gjendur përballë përgjigjes së UNMIK-ut, i kërkoi prokurorisë të saktësonte të dhënat për Bujar Gashin që kërkohej dhe që ishte pjesëtar i “Bandës së Durrësit” dhe më pas të vazhdohej gjykimi i tij. Një situatë e tillë detyroi organin e akuzës të tërheqë aktet për këtë të pandehur në prokurori, me qëllim saktësimin e gjeneraliteteve dhe identitetit të Bujar Gashit të vërtetë, atij që kërkohej nga drejtësia shqiptare.
Episodi i vrasjes
Në datën 09.07.2000, në vendin e quajtur Shënavlash, të pandehurit Adriatik Coli, Indrit Dokle, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi kanë vrarë shtetasin Dritan Disha, i cili po udhëtonte me një makinë “BMW” në drejtim të banesës së tij. Shtetasi Dritan Disha ka pasur lidhje shoqërore me shtetasit Erjon Lame dhe Marsel Sotiri.