Vendimi; I shkaktoi paralizë 7-vjeçares, dënohet me 400 mijë lekë infermierja
Gjykata e Tiranës dënon me gjobë 400 mijë lekë infermieren që i shkaktoi paralizë një 7-vjeçareje. Bëhet fjalë për të pandehurën Fabiola Agastra, e cila është dënuar dje nga ana e gjyqtarit Kreshnik Omari, e akuzuar për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”. Ngjarja për të cilën akuzohet Agastra ka ndodhur mbrëmjen e 2 shtatorit të vitit 2006. Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Tiranës, vogëlushja 7-vjeçare më inicialet Luçiana P., ishte çuar nga gjyshja e saj në Qendrën Spitalore Universitare, pasi kishte pasur temperaturë të lartë. Nëna e 7-vjeçares ishte në Greqi dhe për të kujdesej gjyshja. Në QSUT, mjeku roje ka ngarkuar infermieren e turnit, Fabiola Agastra, që t’i bënte një injeksion për t’i ulur temperaturën. Ajo që i ka rënë në sy gjyshes në momentin e parë ka qenë fakti se infermierja ishte sjellë në mënyrë të vrazhdë me ta dhe ia kishte bërë vajzës injeksionin në mënyrë të ashpër, gati brutale. Ajo nuk kishte treguar asnjë lloj kujdesi, megjithatë, gjyshja nuk kishte menduar se e keqja do të vinte më pas. Pas injeksionit, vajzës i ishte nxirë vendi ku ishte shpuar dhe akoma më keq, nuk arrinte ta lëvizte më këmbën. Pasi është konsultuar me mjekët, gruaja ka kuptuar se infermierja i ka injektuar vajzës një medikament, i cili nuk përdorej prej vitesh dhe që sipas deklarimeve të saj në organin e akuzës, krijonte ulje të menjëhershme të temperaturës dhe shkaktonte paralizë. Kjo e ka bërë edhe më të rëndë gjendjen, por gjyshja ka menduar se shëndeti i vajzës do të përmirësohej. Ajo e ka dërguar mbesën në spitalin pediatrik, ku 7-vjeçarja është shtruar dhe i është nënshtruar trajtimit mjekësor, por gjendja e saj nuk ndryshoi. E ëma e vajzës, sapo kishte marrë vesh lajmin, u kthye nga Greqia. Kur janë bindur se vajza nuk do të shërohej më, familjarët e saj kanë vendosur të bëjnë padi ndaj infermieres, e cila fillimisht është pushuar nga puna. Infermierja nuk e ka pranuar akuzën gjatë procesit gjyqësor. Dy seanca më parë, Prokuroria e Tiranës kërkoi ndaj saj shpalljen fajtore dhe dënimin me 600 mijë lekë gjobë.